Trazirat pas vrasjes së 17-vjeçarit, Franca në “shtetrrethim” me 40 mijë policë në rrugë

As 45 mijë xhandarë dhe policë të mobilizuar mbrëmjen e kësaj të shtune për të ruajtur rendin dhe sigurinë në natën e pestë radhazi të trazirave në Francë, nuk i kanë ndalur protestat e dhunshme.

Ajo që u paralajmërua nga Marseja, e cila kërkoi nga Parisi zyrtar përforcime për të ruajtur rendin dhe sigurinë, është provuar pasi revolta e mbrëmjes së sotme ka nisur pikërisht atje.

Mediat franceze raportojnë se banorët e qytetit të Marsejës janë duke u përgatitur për një natë përplasjesh të ashpra.

Pamjet që qarkullojnë në platformën Snapchat treguan pronarët e dyqaneve në Rue Saint-Ferréol, një nga lagjet kryesore tregtare të qytetit, duke thurur mburoja të mëdha druri në vitrinat e tyre.

Ndërkohë pranë qendrës tregtare të qytetit pa u errësuar mirë ka pasur përleshje mes demonstruesve dhe policisë.

Deri më tani janë arrestuar 16 person në Marsejë, ndërkohë që ka edhe hedhje sporadike të predhave.

Nga këta persona, 7 u kapën në flagrancë duke vjedhur në një dyqan “Cash converters” në Grand Littoral, sipas prefekturës. Individë u përpoqën të hynin edhe në stacionin e zjarrfikëses Canebière, por kjo u parandalua nga policia.

Grupet që po tentojnë të formohen shpërndahen shpejt nga policia.

Videot që qarkullojnë në rrjet tregojnë policë të armatosur rëndë duke patrulluar në qytet, ndërsa një kolonë e madhe furgonash policie u pa duke hyrë në Marsejë.

Sa i përket përforcimeve që u miratuan nga Macron ato përfshijnë anëtarë të njësisë taktike elitare GIGN.

“200 agjentë shtesë nga CRS, oficerë rezervë të lëvizshëm të Policisë Kombëtare Franceze janë gjithashtu rrugës për në qytet”, tha ministri i brendshëm në një konferencë për shtyp.

Ai tha se helikopterët dhe automjetet e blinduara ishin në dispozicion të forcave në të gjithë Francën, ndërsa një njësi CRS 8 është vendosur edhe në Lion.