“Kosova dhe Serbia”/ Rama: I kam kërkuar Macron dhe Scholz që të ndërhyjnë, rrezikohet përplasja fatale e armatosur

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se dy ditë më parë u ka dërguar një letër Presidentit të Francës Macron dhe Kancelarit të Gjermanisë Scholz që të ndërhyjnë për t’i dhënë një shtysë të re raportit mes Kosovës dhe Serbisë që prej disa javësh tashmë janë në klimë tensioni.

Në një konferencë shtypi, Rama bëri të ditur se situata në veri të Kosovës rrezikon që të shkojë në një përplasje fatale.

“Nga ana tjetër dua t’ju informoj se pardje i kam nisur një letër të dytë pas asaj të statutit, Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz, për dijeni edhe Presidentit të KiE lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete të Francës dhe Gjermanisë që plani franko-gjerman të zbatohet medoemos.

Në kushtet kur degradimi i situatës në veri po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë çka do ishte një katastrofë në mes të së cilës do përshihej pastaj paevitueshmërisht KFOR-i.

Por përplasja e cila edhe sikur 3 orë të zgjaste do rezultonte fatale dhe për gjithë çka është bërë në këto vite përpjekje nisma, ndërveprime, në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al