22 vjet nga fillimi i luftës, veteranët e UÇK-së ende pa status të zgjidhur

Gazetar: Adnan Qaili

Në Sllupçan të Kumanovës u përkujtua nisja e betejës së UÇK-së. 2 Maji i mblodhi të gjithë në qendrën memorialë te varrezat e dëshmorëve. Por pak prej tyre ishin prezent në 2001, kur kjo zonë u shpall e lirë me nisjen e luftës për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Ku janë heronjtë pas më shumë se 2 dekadave? Zgjidhja e statusit politiko-juridik të shqiptarëve në Maqedoni sot e 22 vite nuk është realizuar, ndonëse ishte ideali kryesor i luftës për të drejtat e tyre, thonë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari Besim Hoda tha se partia politike në pushtet BDI, që doli nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare 2001, nuk i bëhet vonë të rregullojë me ligj statusin e veteranëve të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve.

“Branitellat brenda 22 viteve kanë realizuar disa herë të drejtat e tyre me ndryshimet Kushtetuese ose nene plotësuese, një invalid lufte maqedonas merr 1,500 euro, për çdo të rënë maqedonas familja merr nga 800 euro dhe fëmijët e tyre nga 150 euro që arrijnë një rrogë të majme. Ajo që është më injoruese dhe e dhimbshme jo që nuk u përpoq asnjëherë seriozisht zgjidhja e statusit të veteranëve UÇK-së me ligj, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës por ne sot e kësaj dite në Kushtetutën e Maqedonisë, duke marr direkt nga legjislativi jugosllav trajtohemi si terroristë dhe si kriminelë”, u shpreh Besim Hoda, Kryetar i OVL-UÇK-së.

Hoda thotë se përfituesit më të mëdhenj janë që nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti e deri tek eksponentët e tij politik, të cilët vazhdojnë të përfitojnë nga gjaku i të rënëve. Kreu i kësaj organizate tha se sa herë që vinë fushatat zgjedhore politikanët e kanë gojën plot me premtime, duke marr merita edhe ata që në 2001 kanë qenë refugjatë jashtë vendit, madje edhe që kanë punuar kundër idealeve të luftës së atëhershme. Hoda iu bën thirrje si Grubit ashtu edhe bashkëpunëtorëve të tij që mos ta fëlliqin UÇK-në me brohoritje nëpër tubime.

“Të gjithë atë përpjekje gjithë kombëtare e kthyen në interesa personale dhe materiale, duke u përfshirë në subjekte politike, sot gëzojnë beneficione të majme me rrogat që marrin, me korrupsionin duke shkelur mbi gjakun e shokëve tanë dëshmorëve e invalidëve të luftës, ata janë amnistuar për vete. Ata shkojnë në manifestime të ndryshme për të thithur ende gjak të pastër të dëshmorëve dhe për të mashtruar familjet e tyre me një tufë lule ose akademi përkujtimore që tani më shumë u bëhet të gjallëve ose atyre që ranë pas luftës se sa dëshmorëve që u flijuan në front”, tha Besim Hoda, Kryetar i OVL-UÇK-së.

Organizata e OVL-UÇK-së nuk heq dorë nga kërkesa e tyre që të zgjidhet statusi i të gjithë atyre që kontribuuan për të drejtat, të cilat tani i gëzojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet pakicë në Maqedoni. Ai thotë se në çdo cikël zgjedhor marrin premtimin se do tu zgjidhet statusi i tyre, por që pas vazhdojnë pushtetin në kurrizin tonë, i shikojnë vetëm interesat personale dhe grupore të tyre. Hoda tha se postet që marrin funksionarët e BDI nuk mbajnë përgjegjësi kombëtare, por vetëm benefite familjare. /Alsat.mk