Të mbijetuarit e tërmetit në Turqi përballen me uri dhe dimër të ftohtë

Dielli lind njësoj si çdo mëngjes, por rrugët e shkatërruara të Shanlëurfës duken boshe në këtë mot të ftohtë.

Pas tërmetit të së hënës me magnitudë 7.8 ballësh, si çdo person i prekur nga 9 krahina të tjera, edhe në këtë vend qytetarët janë fokusuar në mbijetesën bazike.

Në orët e para të së hënës, tërmeti më i fuqishëm i Turqisë në 100 vjet goditi këtë rajon kufitar me Sirinë, duke lënë më shumë se 9.500 të vdekur në Turqi dhe Sirinë fqinje.

Dhjetëra familje në Sanliurfa kërkuan strehim në katin e parë të hotelit impozant Hilton. Deri në orët e para të mëngjesit të së martës, shumica e prindërve së bashku me fëmijët e tyre nuk kanë fjetur aspak.

“Kemi mbërritur këtu dje në orën 15:00. Hoteli na ka dhënë supë në mbrëmje, por nata ka kaluar, ne jemi të uritur, ashtu edhe fëmijët…Sot do të mbyllen furrat e bukës, nuk e di si ku do të gjejmë bukë”, tha Imam Caglar, 42 vjeç.

Banesa e tij nuk është larg nga hoteli, por për shkak të kushteve të rrezikshme është e pamundur të shkojë dhe të marrë ushqim.

“Ne jetonim në katin e parë dhe kemi shumë frikë për t’u kthyer. Ndërtesa jonë nuk është aspak e sigurt”, tha babai i tre fëmijëve.