Detajet për kualicionet e reja!

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, i pyetur se a janë të hapur për koalicionin gjithëpërfshirës dhe me Lëvizjen Besa tha se ASH-ja mund të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike shqiptare. Nëse do të kishte një mundësi e mirë për koalicionin ata do t’i bashkoheshin ndonjë koalicioni të mundshëm.

“Ne nuk përjashtojmë. Jemi në komunikim me të gjitha partitë politike shqiptare. Këtë periudhë nuk është keq të mendojmë edhe për lista të hapura, në qoftë se arrijmë t’i hapim listat me 6 njësitë zgjedhore, mos t’i ndryshojmë konceptet tjera zgjedhore, unë mendoj se paraqitet mundësi e madhe për koalicionim të më shumë partive politike shqiptare”.

Taravari tha se në qoftë se ka vullnet të mirë prej të gjitha partive politike shqiptare që të dilet me një listë, eventualisht në qoftë se shkohet edhe me modelin e hapur që qytetari ta zgjedh kandidatin për deputet atëherë nuk duhet të hidhet kjo mundësi, por gjithnjë duhet të bashkëbisedohet dhe të sillet një vendim i përbashkët.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Faruk Avdiu, për koalicion të mundshëm me Aleancën për Shqiptarët, deklaroi se është herët për të diskutuar për këtë çështje.

FARUK AVDIU, ZËDHËNËS I LËVIZJES BESA

“Kur të caktohen zgjedhjet do t’i tregojmë edhe qëndrimet tona politike. Deri atëherë ky është qëndrimi jonë si Lëvizje Besa”

Ndërkohë, kryetari i ASH-së Arben Taravari theksoi se komunikimet i kanë korrekte me të gjitha partitë politike.

Medina Ajeti /SHENJA/