Në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ka qenë i ftuar pediatri Edi Tushe i cili i këshillon prindërit që mos përdorin asnjë medikament për temperaturën tek fëmijët pa i kaluar 39. Ai shprehet se për mjekët temperatura 38-39 është e dëshirueshme dhe nuk duhet ndërhyre sepse është mekanizëm mbrojtës, është në proporcion të drejtë me numrin e mikrobeve që popullon një njeri.
Edi Tushe: Temperatura 38-39 ne e konsiderojmë të dëshiruar, nuk duhet ndërhyrë, ndonjëherë edhe 39 e sipër duhet të pritet. Temperatura është mekanizëm mbrojtës, është në proporcion të drejtë me numrin e mikrobeve që popullon një njeri. Sa më lart, agresiv të shumohet mikrobi, aq më lart është temperatura, për arsye se një mikrob që popullon njeriun mund të shumohet vetëm në temperaturë normale të njeriut.
Ne ngremë temperaturën që të frenojmë pikërisht shumimin e mikrobit. Temperaturat 38-39 nuk bëjnë asnjë gjë, as nuk vërehet, nuk e vëren prindi. E prek me dorë, e sheh të nxehtë, i vë termometrin, ububu thotë 39. Me vrap përpiqet që t’i japë ato barnat që shërbejnë për të ulur temperaturën. Shpesh herë për shembull, ndërhyrja që duhet të bëjë prindi duhet të jetë në funksion me sjelljen e fëmijës. Në qoftë se fëmija ka një sjellje krejtësisht normale, s’ka pse të ndërhyjë, të presë edhe pse temperatura është e lartë.
Në rast se fillon përgjumet, lëshohet etj, etj atëherë duhet patjetër që ta ndihmosh. Përgjithësisht ne kemi si rregull që 39 e sipër duhet dhënë mjekim, për të ulur temperaturën. Natyrisht barnat që jepen për temperaturën nuk janë pa rreziqe. Ajo që përdorim më shumë është paracetamoli, ibubrofeni është më i rrezikshëm, është zgjedhje e dytë.