33 persona të paevidentuar në Tetovë, këto janë kërkesat e tyre


Quhet Afrim Berisha. Në Maqedoni jeton 27 vjet. Ai është i martuar dhe ka shtatë fëmijë, por asnjëherë nuk është pajisur me ndonjë dokument qoftë edhe të përkohshëm.

Si pasojë, nuk ka mundur të punësohet ndërsa shërbimet shëndetësore i paguan nga xhepi, shkruan Alsat.

Ai thotë se shumë herë i është drejtuar institucioneve që të pajiset me dokumente por më kot. Madje i akuzoi se i kanë kërkuar ryshfet.

“27-28 vjet nuk kam asnjë dokument asgjë. Shkoj andej-këndej vetëm më mashtrojnë dhe asgjë s’më japin. I martuar jam me shtatë fëmijë, gjithë të lindur këtu por me mua problem. Nuk japin dokumente, kërkojnë ryshfet, unë i dhashë 2000 euro unë nuk kam më para ku të marr. Në polici s’mund të shkoj me këta dokumente se fallco janë, më mashtruan më morën 2000 euro dhe ja. Problem kam, pa dokumente, spitali privat, nëse ke do shërohesh nëse s`ke asgjë”, u shpreh Afrim Berisha, pa dokumente.

Afrimi sot kishte ardhur për tu interesuar në komunë për risitë e Ligjit për personat e pa regjistruar, që u organizua nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Problemin e njëjtë sikur Afrimi e kanë edhe të paktën 30 persona të tjerë.

Nga Qeveria, kanë deklaruar se me Ligjin e ri për personat e paregjistruar, që u miratua para dy vitesh, tash e tutje, këto persona do kenë të drejtën e regjistrimit në një regjistër të veçantë dhe të pajisen me letërnjoftim jo biometrik, por që do jetë i mjaftueshëm, që të realizojnë të drejtat e tyre elementare, shkollimin, shërbimet shëndetësore, punësimin dhe mbrojtjen sociale.

“Elementi kyç në të cilin punojmë për momentin është shëndetësia, mbrojtja sociale dhe arsimimi sepse nuk ka asnjë pengesë që këto fëmijë të vizitojnë shkollat dhe të marrin certifikata. Ligji për personat e pa evidentuar ka nen me të cilin kur personi do merr certifikatë të veçantë, personi zyrtar është i obliguar të nis procedurë për regjistrim të rregullt të tij. në rast se kjo nuk kryhet, personi zyrtar mund të shfrytëzojë deklaratën e dy personave që të kalohet në Librin e rregullt”, tha Elvis Memeti, këshilltar i Qeverisë për inkluzivitetin e romëve.

Nga Komuna e Tetovës, kanë deklaruar se së shpejti do të hapin edhe zyrën e veçantë për rastet e këtilla me qëllim zgjidhjen e problemin të këtyre personave. Në mbarë vendin gjithsej 750 persona janë të paregjistruar, 33 prej të cilëve janë në Tetovë. Prej tyre, rreth 80 për qind janë të komunitetit romë. Por numri i personave fantom besohet të jetë shumë më e madhe. / Alsat.mk