32 mijë veta fluturuan nga Kosova nga 1 deri më 3 janar

Në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë vetëm në tri ditët e para që pas liberalizimit të vizave kanë udhëtuar afër 32 mijë qytetarë, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i udhëtarëve është rritur në 11 mijë e 742 udhëtarë dhe janë realizuar 212 fluturime.

“Nga data 1 janar deri më 3 janar, kanë kaluar diku rreth 31 mijë udhëtarë vajtje-ardhje. Nëse e krahasojmë të njëjtën periudhë me tri ditët e para të vitit 2023, kemi diku mbi 10 mijë udhëtarë më shumë se sa vitin e kaluar”, tha zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara për Albanian Post.

Gara e ka pranuar se liberalizimi i vizave ka ndikuar në këtë rritje të numrit të udhëtarëve, por ka theksuar se “tani jemi në periudhën kur pika e sezonit dimëror, jemi në periudhën pas festave ku për festa vijnë shumë bashkatdhetarë që festojnë në familjet e tyre”.

Nga profesionist të shumtë liberalizimi i vizave për Kosovën është parë si paralajmërim për largimin e kuadrove profesionale në sektor të ndryshëm. Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda gjashtë muajsh në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera. Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.