31 fëmijë pozitivë të hospitalizuar në Kozle, Zeqiri: “Më rëndë e kalojnë fëmijët e moshave 0-3 vjeç”

Një fëmijë i moshës dy vjeçare pozitiv me Covid-19, në oksigjeno-terapi po trajtohet në spitalin Kozle bashkë me 30 pacientë tjetër të vegjël. Gjendja e tyre është e mirë, ndërsa mosha e pacientëve është nga 0 deri në 16 vjeç, tregon drejtori i Institutit Kozle, Besnik Zeqiri. I njëjti thotë se ka rritje të numri të fëmijëve që vijnë për kontroll të prekur nga gripi sezonal dhe ftohja.

“Kemi rritje të fëmijëve që janë me gripin sezonal ose që janë me ftohje. Të potencoj se edhe fëmijët që i kemi të hospitalizuar edhe ata që vijnë në ambulanca janë fëmijë më të vegjël dhe mund të them lirisht se diku 60 deri 70% të fëmijëve janë të moshës nga 0 deri 3 vjet”, deklaron Zeqiri.
Zeqiri apelon te prindërit që të përkujdesen për shëndetin e tyre personal dhe të fëmijëve të tyre.
Fëmijët e moshave më të mëdha virusin e kalojnë më lehtë për dallim nga të vegjlit, thotë ai.

“Ata që janë pozitiv, që dalin nëpër shkolla ose të moshave shkollore janë në gjendje të mirë, sepse edhe te ne vijnë pozitivë, kontrollohen në ambullanta dhe mjekimin e marrin në shtëpi. Më rëndë kalojnë fëmijët nga 0-3 vjeç sepse tek ata karakteristike është se kanë edhe barkqitje edhe të vjella dhe ata fëmijë dehidrojnë dhe kanë nevojë për infuzione dhe terapi, prandaj janë në institutit tonë”, tha më tej Zeqiri.

Nëse me hapjen e shkollave me prezencë janë rritur numrat e të infektuarve te nxënësit, a duhet që të ndryshoj metoda e mësimit dhe të kalohet online? Epidemiologu Dragan Danillovski thotë se kjo situatë është normale dhe mësimi duhet të vazhdojë nga bankat shkollore.

“Çdo herë kur fillon viti shkollor, pas një javë – dy rritet numri i infeksioneve respiratore, kështu ndodh me dekada edhe tani kjo nuk është ndryshe. Kësaj radhe sigurisht është dominuese sëmundja respiratore Covidi, por mendoj se kjo është shumë normale dhe tani për tani, nëse nuk vjen te një rritje enorme e të infektuarve në mes nxënësve dhe arsimtarëve, tani për tani duhet të vazhdojë mësimi me prezencë por duhet të ndjehet situate epidemiologjike”, vlerëson Danillovski.

Ndryshe sipas raportit javor të Institutit të shëndetit publik për javën e kaluar numër më i ulët i infeksioneve është regjistruar te grupmosha prej 0 deri 9 vjet edhe atë 434 raste. Mirëpo te kjo grupmoshë ka rritje të infeksioneve në krahasim me javën paraprake për 39%.