30 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut sot e shënon 30 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së parë pas shpalljes së pavarësisë.

Qytetarët në referendumin e mbajtur më 8 shtator të vitit 1991 shprehën vullnetin e tyre dhe dhanë votën e tyre që vendi të konstituohet si shtet sovran dhe i pavarur i Maqedonisë. Pavarësia në aspektin kushtetues-juridik u plotësua me miratimin e Kushtetutës me 93 vota në Kuvend më 17 nëntor të vitit 1991.

Teksti punues i Kushtetutës është shkruar nga profesorët Vllado Popovski, Lubomir Fërçkovski dhe Llaze Kitanovski.

Sipas Kushtetutës, sistemi socio-ekonomik dhe politik i Republikës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, të drejtave dhe lirive të njeriut, ndarjes së pushteteve, ekonomisë së tregut dhe vlerave të tjera themelore të një shoqërie moderne demokratike.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik dhe deri më tani ka pësuar disa ndryshime amendamentesh.

I fundit ishte në vitin 2019 kur Kuvendi i Maqedonisë me 81 vota “pro” i votoi katër amendamentet kushtetuese për ndryshimin e emrit kushtetues nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës. Kuvendi e miratoi edhe Ligjin kushtetues për zbatimin e amendamenteve.

Paraprakisht, ndryshime të Kushtetutës janë bërë edhe në vitet 1992, 1998, 2001, 2003, 2005, 2009 dhe në vitin 2011.