3-vjeçarja Amber McRae nga Skocia u lind me një formë të rrallë të spina bifida dhe lëngje në trurin e saj, por mund të konsiderohet një mrekulli. Shtylla kurrizore e vogëlushes ndodhej jashtë trupit të saj kur lindi dhe prej atëherë ajo i është nënshtruar 12 ndërhyrjeve të ndërlikuara.
Vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj të tretë, Amber kreu një operacion neurologjik për të vendosur një devijues në kokën e saj që të largonte lëngjet e tepërta. Kohët e fundit, ajo sapo është vendosur në një karrige të vogël me rrota, të përshtatur enkas për të, që i mundëson të lëvizë lirisht e të luajë.
Nëna e saj, Leanne, zbulon në javën e 22-të të shtatzënisë se vajza e saj vuante nga spina bifida, e cila i kishte shkaktuar pozicionimin e trurit më poshtë shtyllës kurrizore se normalja. Mjekët e paralajmëruan se vajza do të lindte me shtyllë kurrizore dhe nerva të dala, ndaj do i duhej një ndërhyrje e menjëhershme pas lindjes.
“Ishim të shqetësuar për vdekje sepse ajo ishte kaq e vogël dhe mjekët vendosën që të lindte 4 javë përpara në mënyrë që të kishte më shumë shanse për të jetuar”, thotë nëna. “Asaj iu desh t’i vendosej menjëherë shpina brenda dhe hiqej lëngu nga truri kur nuk ishte ende as 1-javëshe”.
“Rrugëtimi i Amber nuk ka qenë i lehtë. Devijuesit janë bllokuar disa herë dhe është dashur të zëvendësohen, ndërsa operacioni i fundit ishte vetëm pak javë më parë që të ulej presioni i lartë në trurin e saj”. Kalimi i Amber në karrigen me rrota ka lumturuar jo vetëm të voglën, por edhe familjen e stafin mjekësor, ndërsa i ka mundësuar edhe ndjekjen e çerdhes./tvklan.al