3 persona nga Anamorava po dyshohen se janë infektuar me koronavirus

Derisa përhapja e COVID-19 apo të njohur ndryshe si koronavirusi po shpërndahet me të madhe, shumë persona nëpër vendet e botës po preken nga ky virus kinez.

Ani pse në Kosovë nuk është shënuar asnjë person i prekur nga COVID-19, tre persona nga rajoni i Anamoravës dyshohen se janë të prekur me koronavirus, një nga Vitia dhe dy tjerë nga rrethi i Gjilanit.

Emergjenca e Komunës së Vitisë sot është mbyllur qysh në mëngjes, pasi një person i ardhur nga Italia i moshës 76 vjeçare, po dyshohet se është prekur me koronavirus.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kodoni, ka konfirmuar rastin e mbylljes në karantinë të gjithë stafit mjekësor që ka qenë në kontakt me ambientin ku ka qëndruar ai person.

I njëjti pacient, pasi ka marrë tretman mjekësor në Viti, ka shkuar në Gjilan, e prej nga aty ka shkuar në Prishtinë për t’u kontrolluar për dyshime me virus.

Drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se nga Spitali Regjional i Gjilanit janë dërguar tre në Klinikën Infektive në Prishtinë për diagnostifikim dhe trajtim, pasi po dyshohen se janë prekur me koronavirus.

“Janë dërguar tre persona në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Prishtinë të cilët dyshohen se janë prekur me koronavirus. Për këto raste kemi vetëm dyshime, mirëpo ende nuk kemi informata nga Prishtina. Ata po qëndrojnë në Prishtinë dhe jemi në pritje të rezultatit. Një pacient është nga Vitia, kurse dy të tjerët janë nga rrethi i Gjilanit. Stafi shëndetësor është duke respektuar masat mbrojtëse dhe nuk ka nevojë që dikush nga stafi të vendoset në karantinë me arsyetimin se në spital kemi pasur një pacient i cili dyshohet se është prekur me koronavirus. Sepse nëse shkojmë në këtë mënyrë, atëherë i tërë spitali duhet të vendoset në karantinë pas çdo rasti të dyshimtë”, ka thënë Hajrullahu.

Ndërkaq, Infektologu në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi ka bërë një apel për qytetarët që të ruajnë qetësinë.
Krasniqi ka bërë thirrje që qytetarët të telefonojnë në numrat e telefonit të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe mos të paraqiten në Klinikë nëse nuk kanë shenja të sëmundjes sepse rrezikojnë aty të infektohen.