3 muaj punë për 1 telefon, në BE dhe SHBA e blen për 2 javë

Telefonat vijnë me modele dhe sisteme të reja çdo vit, duke i nxitur njerëzit t’i zëvendësojnë pajisjet që dalin nga moda.

Por, për të pasur markat e fundit nevojiten para dhe në vende të ndryshme të globit, duhet të punosh vetëm disa ditë ose disa muaj për të fituar paratë e nevojshme.

Kështu për modelet e fundit të prodhuar nga Apple, që arrijnë çmimin deri në 180 mijë lekë, në Shqipëri duhet të punosh 3 muaj.

Pra, për të blerë aparatin e ri telefonik, kërkohet që një individ që paguhet mesatare të mos blejë asgjë tjetër në fund të 3 muajve, por vetëm telefonin. Edhe në Kosovë, nevojiten mbi 400 orë punë për variantin e ri të I-Phone, ndërsa në vende si Mali i Zi apo Serbia kërkohen rreth 250 orë ose 6 javë e gjysmë punë.

Për më pak se dy javë punë të paguar me një pagë mesatare, individët mund të blejnë një I-Phone në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, përfshi Amerikën dhe Kanadanë, ndërkohë që në Egjipt e Nigeri duhet të fitosh 12 deri në 17 paga.