29 makina të blinduara SHBA i dhuroi Shqipërisë


Batalioni i II i këmbësorisë së Forcës Tokësore është një hap më pranë mekanizimit të plotë të tij.
Qeveria e SHBA dhuroi 29 mjete të reja, të blinduara, shumë përdorimshme dhe me lëvizshmëri të lartë (Humvee) për këtë strukturë të deklaruar në NATO.

Nga ana e saj, ambasadorja Kim tha se dhurimi i mjeteve të reja kontribuon në transformimin e batalionit të II të këmbësorisë, nga një batalion i lehtë, në një batalion të mekanizuar.
Diplomatja amerikane u shpreh krenare që Shqipëria i përgjigjet detyrës, duke qenë gjithmonë në krah të SHBA, pavarësisht sa të rrezikshme janë misionet, pavarësisht sa larg shtëpisë. Dhurimin e 29 mjeteve të reja, ajo e konsideroi si një donacion të rëndësishëm në prag të “Defender Europe 21”, stërvitjes ushtarake më të madhe në Evropën Juglindore.

Mjetet e reja të dhuruara nga SHBA do të përdoren kryesisht nga batalioni i II i këmbësorisë në Forcën Tokësore, i cili është një strukturë në gatishmëri dhe dispozicion të Aleancës për t’u dislokuar kudo dhe kurdo.

“Jemi këtu për të festuar dorëzimin e 29 Automjeteve Ushtarake të Lëvizshmërisë së Lartë, ose “Humvee”, për Forcat e Armatosura Shqiptare. Këto automjete të reja do të përmirësojnë menjëherë aftësitë e forcave tokësore shqiptare në një moment kritik… Ky dhurim është gjithashtu vendimtar, sepse jemi në përgatitjet e fundit për një ngjarje historike – Stërvitja “Defender 21”. “Defender 21” është një stërvitje ushtarake shumëkombëshe, e cila do të ndodhë në Shqipëri këtë verë dhe Shqipëria është zgjedhur për të mikpritur një aspekt të rëndësishëm të stërvitjes. Kjo do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake ndonjëherë në Evropën Juglindore dhe sigurisht do të tregojë rëndësinë e Shqipërisë në rajon. Në mënyrë të veçantë, presim me kënaqësi t’i shohim këto automjete të marrin pjesë në këtë ngjarje premierë trajnimi.” Ambasadorja Yuri Kim në ceremoninë për dhurimin e mjeteve Humvee për Forcat e Armatosura Shqiptare.”
Ministri Peleshi falënderoi SHBA për ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë për modernizimin e FA, trajnimin dhe arsimimin e efektivëve tanë.