27 vjet burg për gazetarin turk me origjinë shqiptare, Can Dündar


Pak më parë një gjykatë e Stambollit e dënoi me 27 vjet burg Can Dündarin, ish-kryeredaktorin e gazetës “Cumhuriyet”, e njohur për mbrojtjen e vlerave republikane.

Dündar nga familja e nënës është me origjinë shqiptare. Nga viti 2016 ai jeton në ekzil në Gjermani. Dündar është autor i 20 librave dhe i disa programeve dokumentare për televizione si CNN Türk. Ai shkruan kolumne për gazetën gjermane “Die Zeit”.

Dündar u dënua për shkak se në vitin 2015 botoi dëshmi se si shërbimi sekret turk furnizoi me armë terrotistët e “Shtetit Islamik”. Pra, Dündar kreu punën e tij si gazetar. Më 2016 Dündar ishte liruar nga akuza e spiunazhit. Por ndërkohë kryekadiu i Turqisë, Rexhep Taip Erdoani e ka futur nën kontroll komplet drejtësinë. Prokurorët dhe gjykatësit janë vetëm zbatues të urdhrave të autokratit. Tani erdoganistët neosomanë në viset shqiptare me siguri do t’i duartrokasin idhullit të tyre që dënoi edhe një gazetar, qoftë edhe me origjinë shqiptare.