26% e të rinjve shqiptarë 18-24 vjeç ishin “dembelë” më 2017, as në punë dhe as në shkollë


Çereku i të rinjve shqiptare të moshës 18-24 vjeç vuan nga dembelizmi, pasi as nuk punojnë dhe as nuk ndjekin studimet. Ulja e numrit të “dembelëve” ndër të rinj është një nga objektivat kryesore të mijëvjeçarit të vëna nga Organizata e Kombeve të Bashkuara deri më 2030 shprehet qeveria shqiptare në një analizë të posaçme për plotësimin e këtyre objektivave.

Përqindja e të rinjve në moshën 15-24 vjeç që nuk janë në arsim, punësim ose trajnim, e njohur gjithashtu si “norma NEET”, përcakton numrin e të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim si përqindje në totalin e të rinjve.

Sipas objektivave të OKB përqindja e të rinjve dembele duhet të shkojë zero deri më 2030 dhe të ulet ndjeshëm deri më 2020.

Vitin e kaluar është vënë re një rritje e numrit të femrave që nuk ndjekin as punën dhe as shkollën ne raport me 2016. Sipas të dhënave të qeverisë shqiptare 26.8 për qind e femrave të moshës 18-24 vjeç janë tërësisht të paangazhuara, teksa numri i të rinjve meshkuj“ dembele” është në rënie, duke arritur në 24.3 për qind në vitin 2017 nga rreth 26.5 për qind që ishin në vitin 2016.

Gjithsesi përqindja e dembeleve ndër të rinj ka nisur rënien dy vitet e fundit pasi treguesi ka qenë shumë më i lartë në të shkuarën. Sipas të dhënave të qeverisë shqiptare që i janë referuar INSTAT në vitin 2014, rreth 33 për qind e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin të angazhuar as në punë dhe as në shkollë.

Mos integrimi i të rinjve në tregjet e punës është një simptomë e vendeve në tranzicion ku bën pjese edhe Shqipëria. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nivele të larta te të rinjve që nuk janë të angazhuar në tregjet e punës. Ky fenomen është shqetësues pasi këto të rinj kanë shumë gjasë të kthehen në të dekurajuar kronike dhe të mbeten jashtë tregjeve të punës edhe pasi të kenë kaluar kohën e rinisë.