25-vjetori i Masakrës së Reçakut, krerët e shtetit Kosovar vendosin kurora lulesh pranë lapidarit

Sot, 15 janar 2024, janë bërë 25 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, përcjellë Gazeta Sinjali.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Sot krerët e shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca vendosën kurora lulesh pran lapidarit në Reçak.

Policia dhe ushtria serbe kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Kujtojmë se ish shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.