25 raste aktive me koronavirus në Podujevë, Rama tregon se ku u infektuan rastet e reja

Mbrëmë Podujevës i janë shtuar gjashtë raste të reja me koronavirus. Me këto raste, numri i rasteve aktive ka shkuar në 25. Detaje rreth rasteve të reja në këtë komunë dhe gjendjen e të infektuarve, ka dhënë specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent.

Në një prononcim për Gazetën Express, Rama ka treguar për dyshimet se ku mund të jenë infektuar rastet e mbrëmshme.

“Mbrëmë në Podujevë janë konfirmuar gjashtë raste me koronavirus. Aktualisht janë 25 raste aktive te ne. Një prej të infektuarve dyshohet se është infektuar në KEK, meqenëse është punëtor i KEK’ut, një që ka edhe sëmundje të tjera kronike dyshohet se është infektuar në institucione shëndetësore, dhe një familje dyshohet se janë infektuar nga familjarët që kanë ardh prej jashtë Kosovës”, ka thënë Rama.

Sipas saj, gjendja e të infektuarve është stabile, derisa ka treguar se sot nuk është marrë për testim asnjë mostër.

Personi më i ri i infektuar thotë se është një 18-vjecar.

“Gjendja e tyre është stabile. Personi më i ri i infektuar është një 18-vjecar, derisa më i vjetri një 69-vjecar. Sot nuk kemi dërguar asnjë mostër për testim”, ka thënë Rama për Express.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se situata me koronavirus në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”.

Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirus, Hoti tha se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për njerëz.

“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”, tha ai.

Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.

“Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që mos ta mbyllim komplet ekonominë si para tre muajve”, tha Hoti, i cili paralajmëroi masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Masat e reja, që sipas tij do të merren qysh në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, do të përfshijnë reduktimin e punës në institucione – bartësit e institucioneve duhet t’i lirojnë ata që mund të kryejnë punën nga shtëpia – pastaj mbylljen e bizneseve ku ka raste të paraqitura me koronavirus, mbajtjen në izolim të personave të infektuar dhe kontrollin e tyre, si dhe ndalimin e grumbullimit të mbi 100 personave në ambiente të hapura ose të mbyllura.

Hoti tha se ata që nuk i zbatojnë masat, do të përballen me ligjin./Gazeta Express