2429 shqiptarë janë përgjuar nga shteti gjatë 2017

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë përgjuar me vendim gjykate gjatë vitit të kaluar në kuadër të hetimeve penale të zhvilluara, megjithëse numri total i personave të mbajtur në përgjim është ulur në krahasim me 2016 .

Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme të paraqitur në kuvend thuhet se gjatë vitit 2017 janë ekzekutuar gjithsej 2429 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake. Këto përgjime, sipas prokurorisë janë aplikuar në lidhje me 723 procedime penale të hetuara nga të cilat 204 prej tyre në kuadër të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Më konkretisht, bazuar në këto praktika të autorizuara nga gjykata, sipas prokurorisë është mundësuar interceptimi për 3575 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
Krahasuar me vitin paraardhës 2016, prokuroria ka kryer rreth 400 raste përgjimi më pak gjatë vitit 2017.

Siç bën të ditur prokuroria, në kuadër të këtyre përgjimeve gjatë vitit 2017 në sajë të kësaj teknike hetimore është arritur në arrestimin ose ndalimin e 475 personave të dyshuar për vrasje, trafikim të lëndëve narkotike, korrupsion, trafikim të armëve dhe e vepra të tjera.