Jeta e ish kryeministrit autoritar në Maqedoninë e Veriut, Nikolla Gruevski në tre vitet e fundit dukej kështu: i arratisur nga drejtësia në vendlindjen e tij dhe kërkues i azilit politik në Hungari, i mbrojtur nga kryeministri hungarez Viktor Orban. Megjithatë, me Peter Marki-Zaj, si lider i opozitës së bashkuar në Hungari, i cili konsiderohet se ka shans më të mirë ta mposht kryeministrin aktual shumëvjeçar hungarez në zgjedhjet e ardhshme, që duhet të mbahen në prill të vitit 2022, klima politike në vend mund të bëhet e pavolitshme për Gruevskin, citohet në analizën e publikuar në platformën gazetareske “Reporting Democracy”.Në analizë përkujtohet se Marki-Zaj paraprakisht në një postim në Fejsbuk paralajmëroi se “do t’i ekstradojë kriminelët emigrantë të cilët FIDES (partia e Orbanit) i solli në vend: Nikolla Gruevskin nga Maqedonia e Veriut, Zaid Nafa nga Jordani dhe të tjerë”.Por, siç citohet në tekst, sipas ekspertëve juridik, që t’i hiqet statusi Gruevskit si azilant dhe për ekstradimin e tij do të duhet më shumë nga vullneti politik dhe ai proces mund të jetë shumë i komplikuar dhe i gjatë.
“Në një shtet demokratik bazuar në qeverisje të së drejtës, asnjë qeveri, asnjë kryeministër, nuk kanë të drejtë dikujt t’ia marrin statusin e refugjatit”, deklaroi Andras Lederer, përfaqësues i Komitetit hungarez të Helsinkut, i obliguar për monitorimin e të drejtave të njeriut.Por, edhe përveç kësaj, sipas autorëve të analizës, ekzistojnë mënyra juridike që t’i hiqet statusi i azilantit Gruevskit, sepse Drejtoria e përgjithshme nacionale për menaxhim me shtetas të huaj në Hungari, në çdo tre vjet i kontrollon statuset e refugjatëve.“Kjo në përgjithësi është një procedurë e re për azil, në të cilën aplikuesi duhet të dëshmojë se ende ekzistojnë arsye për shkak të të cilave i pranohet azili. Bazuar në dëshmitë, autoritetet mund të vendosin nëse do ta vazhdojnë azilin ose do ta ndërpresin”, sqaron Lederer.Në analizë përkujtohet se Gruevski “arriti në Hungari më 11 apo 12 nëntor të vitit 2018, për t’i ikur vuajtjes së dënimit me burg prej dy viteve”, pas së cilës muajin e njëjte mori azil me procedurë urgjente, të cilën “shumë kritikë e konsideronin si shumë kontrovers dhe si gjest personal i vullnetit të mirë të Orbanit ndaj aleatit të tij politik”.
“(Gruevski) në mëngën e tij e fshehte mendimin e Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi të cilën e mori pak para se të arratiset dhe në të cilën thuhej se është diskriminuar dhe se nuk do të marrë gjykim të drejtë në shtetin e tij. Ironi është ajo që ky Komision ishte zgjedhur në kohën kur partia e Gruevskit ishte në pushtet dhe e udhëhequr nga mbështetësi i tij i fuqishëm – Aleksandar Dashtevski, shtohet në tekst, me ç’rast përkujtohet se kërkesa për azil në Hungari ishte miratuar për më pak se 10 ditë.Në analizë theksohet se organizatat joqeveritare hungareze, si Komiteti i Helsinkut, ishin befasuar nga miratimi i shpejtë i kërkesës për azil të Gruevskit, duke potencuar se autoriteteve të emigracionit në Hungari zakonisht u nevojiten rreth 60 ditë për të vendosur në kërkesat e tilla, të cilat më së shpeshti i refuzojnë. Ata potencojnë se në vitin 2018, Hungaria u ka dhënë azil 68 personave, ndërsa ka refuzuar 595 kërkesa të azilantëve.“Por, madje edhe nëse statusi i azilantit të Gruevskit në Hungari ndërpritet, ai mund të paraqesë ankesë të vendimit te gjykata hungareze”, shtohet në analizë.Në tekst përkujtohet se Gjykata në Hungari në vitin 2019 e refuzoi kërkesën nga Maqedonia e Veriut për ekstradimin e Gruevskit, duke pohuar se “një person i njohur si refugjat nuk mund të ekstradohet në shtetin nga i cili është arratisur”.
“Në një proces të ri, nëse ka kërkesë të re për ekstradim nga Maqedonia e Veriut dhe nëse Gruevski tashmë nuk konsiderohet si refugjat, atëherë mund të ekstradohet. Por, gjykata hungareze duhet të vendosë nëse në atdhe do të ketë gjykim të drejtë”, sqaron Lederer, duke shtuar se gjithë procesi mund të zgjasë me muaj, nëse jo edhe me vite.Në analizë theksohet edhe se disa media hungareze, si sajti 24.hu, spekulojnë që në rast se i merret azili në Hungari, Gruevski “mund të vendosë të shpërngulet në Turqi ose Rusi”.