23 vite nga Masakra e Reçakut


Kjo e shtunë shënon 23 vjetorin e Masakrës së Reçakut në Kosovë, ku më 15 janar të 1999 u vranë 45 shqiptarë të paarmatosur.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Çfarë ndodhi më 15 janar të 1999?

Në orët e para të mëngjesit të 15 janarit fshati Reçak u zgjua i rrethuar.

Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë filluan të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe u futën në fshat dhe filluan bastisjet.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave.

Masakra e Reçakut solli reagimin e ndërkombëtarëve duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç.

Së fundmi ka pasur një reagim nga zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ky i fundit ka deklaruar se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.

Por, ministri i Brendshëm serb Aleksandër Vulin këtë ngjarje të rëndë e ka quajtur një gënjeshtër të madhe.