22 raste të reja me koronavirus, numri i përgjithshëm shkon në 70

Shifra rekord të të infektuarve nga virusi korona. Që nga paraqitja e rastit të parë dhe për dallim nga ditët tjera, sot janë regjistruar 22 persona të infektuar. Nga 71 të testuarit e mbrëmjes së kaluar dhe nga 43 të testuar gjatë ditës së sotme, numri i të infektuarve me COVID-10 në vendin tonë arriti në 70. Për momentin në Maqedoni të prekur me virusin Korona janë regjistruar në Dibër, Shkup, Gostivar, Shtip dhe Ohër. Ajo që vërehet nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë është se tashmë në Shkup rezulton se ka më shumë raste të regjistruara se në Dibër.

Numri i infektuar nëpër qytete
Shkup – 36 raste
Dibër – 30 raste
Gostivar – 1 rast
Ohër – 1 rast
Shtip – 2 rast

“Numri i të prekurve në vendin tonë ka arritur në 70. Të gjitha pacientet janë në gjendje stabile dhe të lehtë. Pacientja e vetme që është në aparat për frymëmarrje, në orët e vonshme të mbrëmshme është në fazën kritike. Do të hapen qendra shtesë për marrjen e materialit për testin si në poliklinikat në Çair dhe Jane Sandanski” – deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Ministri Filipçe informoi se deri tani janë bërë gjithsej 888 teste, ndërsa vendi posedon edhe 1400 teste rezervë, ndërsa në javët e ardhshme pritet furnizimi edhe me 2 mijë të tilla. Në vend kemi 120 aparate për frymëmarrje, të cilat siç tha i pari i shëndetësisë, janë të mjaftueshme, pasi sipas statistikave vetëm 5% e të infektuarve kanë nevojë për frymëmarrje artificiale. Ai tha se Kina ka konfirmuar donacionin prej 200 aparatesh për frymëmarrje. Stafi mjekësor në Dibër është forcuar nga dy pediatër dhe një infektolog, si dhe dy specialistë të pulmonologjisë. Kanë mbërritur edhe masat mbrojtëse. Nga të gjitha rastet përqindja e të shëruarve është 1.5%. Numri i personave të izoluar ka mbërritur në 4136.