20 vjet burgim për katër të akuzuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq

Vrasja e udhëheqësit të Nismës së Serbisë për Demokracisë dhe Drejtësi Oliver Ivanoviç, ka marrë epilog rrugëtimi gjyqësor në shkallë të parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim me 20 vjet dënim për katër të akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit në janar të vitit 2018.

Marko Roshiq është dënuar me 8 vjet burgim për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal lidhur me vrasje të rëndë si dhe me 10 mijë euro gjobë.

Nedeljko Spasojeviq është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai është dënuar edhe me 4 mijë euro gjobë. Të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Dragisha Markoviq është dënuar me 4 vjet burgim për bashkëkryerje dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, Zharko Jovanoviq është dënuar me 4 vjet burgim për bashkëkryerje të veprës dhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për posedim të armëve.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte prezent në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së aktgjykimit.

Motivi i vrasjes sipas Prokurorisë ka qenë shtrirja e kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike ashtu edhe ekonomike, dhe veprimtarisë së përgjithshme të aktivitetit kriminal.

Ivanoviç ishte qëlluar me armë zjarri me 6 plumba përballë zyrave të partisë së tij në ora 08:14 të datës 16.01.2018, në rrugën “Sutjeska” në Mitrovicën e Veriut .

Vetura “Opel Astra” pa targa të regjistrimit e me xhama të errësuar, nga e cila ishte gjuajtur në drejtim të të ndjerit Ivanoviç ishte gjetur tërësisht e djegur në ora 09:15 min në rrugën “Vojvode Putnika”.