20-vjeçari shqiptar u vra brutalisht nga arabët në Suedi, familja kërkon ndihmë për të sjellë trupin në vendlindje

Lauren Spaho me origjinë nga Korça është vrarë me thikë në qytetin Karlstad të Suedisë. Ngjarja ka ndodhur 10 ditë më parë. Spaho u qëllua me thikë nga disa persona me kombësi arabe të cilët ishin duke u konfliktuar me njëri-tjetrin.

Ai ka ndërhyrë për t’i ndarë por është sulmuar në mënyrë brutale. Ai është dërguar në spital ku ka ndërruar jetë pas 24 orëve në gjendje kome.

Në lidhje me këtë ngjarje policia ka shoqëruar 9 persona me kombësi arabe, 5 prej të cilëve janë lënë në burg nga autoritetet.

Autoritetet suedeze kanë lajmëruar autoritetet shqiptare. Ka qenë policia shqiptare ajo që ka lajmëruar familjen e 20-vjeçarit për ngjarjen e rëndë. Edhe pse kanë kaluar 10 ditë, familja e 20-vjeçarit po has vështirësi për marrjen e trupit të djalit të tyre dhe sjelljen në Shqipëri.

Familja e 20-vjeçarit pretendon se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë që të marrin trupin e djalit të tyre. Madje babai i Laurenit ka tentuar vetë të shkojë në Suedi që të marrë trupin e djalit, por nuk është lejuar.

Po ashtu familjarët pretendojnë se ambasada shqiptare në Suedi nuk i ka ndihmuar. Ndërsa autoritetet suedeze kërkojnë që të përfundojnë të gjitha procedurat hetimore dhe nuk po lejojnë marrjen e trupit të 20-vjeçarit nga familja.