“20 pyetje Pa Censurë” me gazetarin Artan Telaku

Intervistoi: Vedat Abdi                                                 
Ai është një ndër gazetarët shumë të njohur për publikun e më gjërë. Fillimet e karierës i filloi në televizionin e Klan Kosovës dhe më pas duke vazhduar në RTV Dukagjini.
Përkushtimi ndaj punës dhe profesionit e bën të ndihet shumë i veçantë.

Bëhet fjalë për gazetarin Artan Telaku, ai sot vjen duke u përgjigjur në “20 pyetje Pa Censurë”, ku na tregon të gjithë rrugëtimin e tij, për sukseset dhe sfidat si dhe jetën e tij private jasht ekranit.

Gazetaria dhe moderimi, si filloi ky rrugëtim?
Atë pikën e saktë të startit nuk di të të them, por ka qenë tek unë që fëmijë, por më profesionalisht ka nisur mund të them në kohën e gjimnazit, pasiqë jam angazhuar në një televizion lokal në Prizren (vendlindjen time), për të shënuar në 2013 në një tjetër shkallë të rëndësishme duke u bërë pjesë e Klan Kosova, e nga shtatori i 2020 në RTV Dukagjini.

A je penduar për diçka?
Nuk jam tip i “pishmaneve”, gjatë gjithë këtyre viteve kam treguar atë që di të bëj më së miri. Gabimet e vogla nuk i marrë dhe aq tragjike, përkundrazi kanë shërbyer si mësim për tu përmirësuar. (Por jam shumë detajist, kështuqë e kontrolloj me llupë çdo gjë para transmetimit).

Kujt i dedikon më shumë kohë?
Pjesa më e madhe e kohës i dedikohet emisionit. Nga e hëna në të premte, televizioni është kryefjala e ditës për mua. Pastaj, fundjavat  i takojnë vetëm familjes, pasiqë jetojmë në qytete të ndryshme e dy ditët e pushimit janë të dedikuara për ta.

Me kë e pi kafen e mëngjesit?
Kafja e parë, në shumicën e rasteve është në ambientin e punës, por që e pi vet, se jam pak i “rëndë” si natyrë në mëngjes.

Ke pasur mjaftueshëm personazhe publike në emision, për kë je bërë “pishman” që e ke ftuar?
Absolutisht për askënd. Të gjithë i kam ftuar personalisht, secili ka pasur një histori të pazbuluar për të treguar. Secili nga pak e kanë ndërtuar atë “puzzlen” që kam dashur të transmetoj përmes “Ky emër nuk ka nevojë për prezantim”.

Të ka refuzuar dikush?
Një “Jo” për emisionin tim nuk kam marrë akoma, por ka pasur disa shtyerje të intervistave për një moment të përshtatshëm për të dy palët.

Personazhi që nuk do ta ftoje kurrë në emision?
Ata personazhe që thjesht nuk i përshtaten formatit të emisionit. Vetë emri i projektit që drejtoj e thotë vetë natyrën e personazheve që mund të jenë të ftuar. Për ta thjeshtësuar, nuk mund ti ftoj personazhet që kthehen senzacion brenda natës pa i ofruar asnjë përmbatje që i’a vlen publikut.

Për kë të merr malli më shumë?
Këtë përgjigjigje do e lë shumë shkurt. Më merr malli për personat që na i merr jeta shumë shpejt.

Ke shumë marrëdhënie të mira me të famshmit, cilin ose cilën do të veçoje më shumë?
Përgjithësisht njihem si person që i kam punët mirë me estradë, nuk kam pasur asnjëherë probleme. Po nisa me përmend emra bëhen shumë, por ka disa që i vlerësoj për njeriun që janë.

Shpenzon apo harxhon më shumë?
Në fakt jam tip që nuk kursej aspak, shpenzoj goxha shumë. Shpenzoj më së paku për veten, pasiqë kam qejf t’i bëj tjerët të ndihen mirë me aq mundësi që kam.

Sa e ke rrogën?
Rroga është çmimi që i kam vendosur vetes aktualisht, që i bie se marrë atë që kam kërkuar.

Nëse nuk do të ishe pjesë e televizionit, me çfarë tjetër do të mereshe?
Televizioni ka qenë pasion që fëmijë, por në fakt deri në fakultet, unë përgatitesha për mjekësi, pasiqë është një profesion që rrjedh brenda familjes. Por nuk pendohem aspak për rrugëtimin që kam zgjedhur. Nëse jo gazetar, patjetër një mjek.

Ku e sheh veten pas pesë viteve?
Nuk bëj plane afatgjate. Një gjë e di që pas pesë viteve do jem në televizion, por me çfarë formati nuk di të të them. Aktualisht sapo kam mbaruar xhirimet e sezonit të parë që besoj do e plotësoj akoma dhe më shumë si format për vitet e ardhshme.

Çfarë të inspiron më shumë?
Muzika dhe serialet e Netflix (Qesh). Shumë pyetje edhe për të ftuarit më lindin nga situatat që më bëjnë përshtypje në serialet e Netflix, shto këtu edhe gjërat e vogla nga përditshmëria më inspirojnë goxha shumë.

Si i ke punët me dashurinë?
Goxha mirë. Marr dhe jap shumë dashni, aq më tepër këtë vit është shtuar edhe dashuria e publikut ndaj meje për shkak të emisionit. E di që kjo përgjigje nuk ishte ajo që kërkoje, por po e them shkurt që nuk ka diçka në atë aspekt.

Dy fjalë që do t’i thoje Genta Canës?
Profesionalisht, përpos që është prezantuesja më seksi e sportit në Kosovë është aktualisht më e informuara në këtë lëmi. E teksa, përtej profesionit ka tetë vite që përpos familjes, është personi më i afërt i imi, që më njeh më mirë se unë veten.

Do të sakrifikoje më shumë për familjen apo për dashurinë?
Jam njeri që bëj gjithçka për familjen. Për mua familja është oksigjeni i çdo gjëje, por edhe dashuria bëhet pjesë e familjes.

Ke punuar një kohë të gjatë në televizionin e Klan Kosovës, do të rriktheheshe përsëri?
Që nga 2013 e deri në shtator 2020 kam qenë pjesë e Klan Kosova. Edhe Artani që është sot është falë besimit e ndikimit që ka pasur ish-drejtori i televizionit, Baton Haxhiu që do i jem gjithë jetën falenderues. Unë jam rritur në Klan Kosova, pjesa më e madhe e shoqërisë time është aty e po ashtu njerëzit që vlerësoj shumë.  Largimi im nga aty ka qenë me marrëveshje, ishte koha për një kapitull të ri, e respektoj jashtëzakonisht shumë si televizion e sidomos për kolegët aty, por aktualisht jam shumë rehat në RTV Dukagjini, stacioni televiziv që është treguar shumë i hapur për idetë e mia.

Si kalon një ditë e jotja?
Mesazhet që marrë nga postimet e Instagramit, “ti u knaqe” se vetëm ajo shihet. Por në fakt nuk është se bëj shumë brenda ditës. Punë, drekë e kafe pune, takoj dikë prej shoqërisë e mbrëmja i dedikohet Netflix. E fundjava pastaj ndryshon tërësisht.

Për çfarë nuk do të bëje kurrë kompromis?
Nuk do bëja kompromis me gjëra për të cilat më kishte ardh marre me pa veten në pasqyrë.