Ata duhet të kishin lindur në të ngrohtë, por aktualisht ndodhen mes bombave. Prindërit e tyre, kryesisht të huaj, pritën gjatë për t’i mbajtur në krahë, por lufta po i pengon.
Bëhet fjalë për foshnja që po i kalojnë javët e para të jetës në streha nëntokësore dhe në krahët e të huajve.
“Duhet ta kuptoni se kjo është luftë. Askush nuk është në gjendje të vijë. Aeroportet janë mbyllur, ndaj prindërit nuk mund t’i marrin”, tha një kujdestare fëmijësh.
Kujdestaret që merren me 20 të mitur në këtë strehë krijojnë edhe lidhje emocionale me ta.
“Ne i duam të gjithë fëmijët. Ata janë pjesë e familjes sonë dhe kur prindërit i marrin ne qajmë”, tha kujdestarja.
Këto infermiere vendosën të mos evakuohen sepse dikush duhet të kujdeset për këta fëmijë. Shumë prindër përpiqen të arrijnë Kievin për t’i marrë, por lufta ka komplikuar gjithçka dhe rrugëtimi në Ukrainë është i vështirë për të gjithë.