18 vite burg për pronarin dhe arkitektin e hotelit që u shemb gjatë tërmetit në Turqi, ku humbën jetën 72 persona

Gjykata në Turqi ka dënuar me burg pronarin dhe arkitektin e hotelit që u shemb gjatë tërmetit në vitin 2023, ku humbën jetën 72 persona. Pronari i “Isias Grand”, Ahmet Bozkurt, dhe arkitekti Erdem Yılmaz u dënuan me nga 18 vite e 5 muaj burg, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Anadolu. Djali i Bozkurtit, Mehmet Fatih, u dënua me 17 vite e 4 muaj burg, thuhet në deklaratë.

Hoteli, në qytetin juglindor Adiyaman, ishte mikpritës i një ekipi shkollor volejbolli nga Qiproja Veriore nën kontrollin e Turqisë dhe një grupi udhërrëfyesish turistikë kur ndodhi tërmeti në shkurt të vitit të kaluar. Të tre burrat u dënuan për “shkaktim të vdekjes ose lëndimit të më shumë se një personi nga pakujdesia e vetëdijshme”, raportoi Anadolu.

Kryeministri i turqve qipriotë, Ünal Üstel, tha se dënimet janë shumë të lehta dhe se autoritetet do të apelojnë, raportoi agjencia e lajmeve AFP.
“Pronarit të hotelit nuk iu dha dënimi që prisnim,” tha Üstel. “Por, megjithatë, të gjithë, nga përgjegjësit për ndërtimin e hotelit deri te arkitekti, u dënuan. Kjo na bëri pjesërisht të kënaqur.”

Mbi 50,000 njerëz humbën jetën në Turqi dhe Siri gjatë tërmetit të 6 shkurtit 2023.

Rreth 160,000 ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë, duke lënë 1.5 milionë njerëz pa strehë. Qeveria turke njoftoi disa javë më vonë se qindra persona janë nën hetim dhe se pothuajse 200 prej tyre janë arrestuar, përfshirë ndërtues dhe pronarë pronash.

Një grup prej 39 personash, djem dhe vajza, mësues dhe prindër nga Kolegji Arsimor Turk në Famagusta, udhëtuan në Adiyaman për një turne volejbolli kur ndodhi tërmeti. Katër prindër ishin të vetmit që mbijetuan. Ata arritën të shpëtonin nga rrënojat, ndërsa 35 të tjerët, përfshirë të gjithë fëmijët, humbën jetën.

Grupi i volejbollit kishte zgjedhur të qëndronte në “Isias Grand”, një ndërtesë shtatëkatëshe, së bashku me rreth 40 udhërrëfyes turistikë që ishin atje për trajnim. Hoteli ishte një nga më të njohurit në Adiyaman, por u shemb brenda pak çastesh.

“Isias” funksiononte që nga viti 2001, por, sipas analizave shkencore, gjatë ndërtimit, zhavorri dhe rëra nga një lumë lokal ishin përzier me materiale të tjera ndërtimi për të formuar kolonat mbështetëse të ndërtesës. Përmasat e mëdha të shembjes së ndërtesave gjatë tërmetit nxorën në pah kritika të gjera ndaj qeverisë turke, e cila kishte nxitur një bum ndërtimi, por nuk kishte zbatuar rregullat e ndërtimit të ashpërsuara pas katastrofave të mëparshme.