Një 17 – vjeçare nga Stambolli pasi ngeli shtatzënë me të dashurin dhe e fshehu këtë fakt nga familja për 7 muaj e gjysmë, lindi në tualetin e një plazhi dhe u largua.
“Hurriyet” raporton se 17-vjeçarja G.K., e cila kishte shkuar në plazhin e Tekirdag sëbashku me familjen, u kap nga dhimbje të mëdha dhe shkoi e vetme në tualetin e plazhit.
Pas vonesës së madhe, në tualet shkoi një tjetër anëtar i familjes, por vajza i kërkoi të largohej. Aty e reja lindi një djalë, kërthizën e të cilit e preu vetë. Ajo e mbështolli të sapolindurin me peshqir dhe e la në një cep, për t’u kthyer tek familja.
Disa persona që kaluan pranë tualetit dëgjuan të qarën e fëmijës dhe lajmëruan xhandarmërinë.
Një prej dëshmitarëve okularë, Umut K. tha se “pasi një vajzë doli nga tualeti u dëgjuan të qara fëmije. Ne lajmëruam ambulancën dhe xhandarmërinë”.
Ekipet e shëndetit e dërguan fëmijën në spitalin shtetëror të Tekirdag-së dhe megjithëse i lindur para kohe, gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme. Ai tashmë është vendosur në inkubator.
Ndërkohë, ekipet e xhandarmërisë arrestuan 17-vjeçaren sëbashku me të ëmën, të atin dhe vëllanë, teksa po largoheshin nga plazhi me makinën e tyre.
Në dëshminë e saj, 17-vjeçarja tha se nuk i kishte treguar familjes për shtatzëninë nga frika.
Gjykata vendosi masë paraburgimi për të renë, ndërsa familjarët e saj u lanë të lirë./tvklan.al