17 vjeçari shqiptar shpallet kampion bote në kickbox: “Jam grek, Greqia është shtëpia ime”

Gerald Gega, 17-vjeçari me origjinë shqiptare është shpallur kampion bote në kickbox për të rinjtë. 17-vjeçari i cili është lindur dhe rritur në Heraklion, Greqi është një sportist i ri në fushën e arteve marciale dhe sporteve luftarake. Ai ka arritur të dalë i pari në renditjen botërore të kickbox-it të të rinjve , dhe më konkretisht në kategoritë light contact dhe kick light.

Duke folur për mediat greke ai ka treguar se ndihet krenar që ka dalë i pari me stemën kombëtare greke. Prindërit e tij janë me origjinë shqiptare, por ai e ndjen veten grek. Greqia më lindi. Unë jam grek. Kam pasur gjithmonë trajnerë grekë. Shkova në një shkollë greke. Greqia është familja dhe shtëpia ime. Nga këtu vij unë. Ndihem i lumtur dhe i emocionuar që kam arritur një nivel kaq të lartë në sportet luftarake.

Ai ka treguar edhe për karrierën e tij sportive, që e ka nisur që në moshë të vogël:
Sportet luftarake i kam filluar që në moshë të vogël. Fillova mundjen greko-romake. Kam bërë taekwondo dhe vitet e fundit jam marrë me kickbox. Personalisht dua të qëndroj në të njëjtin nivel edhe pas Botërorit. Unë dua të arrij lart. Kam synime të mëdha dhe besoj në veten time. Në javët e fundit para se të nisja kampionatin botëror kam bërë 13-14 orë stërvitje për të qenë sa më i përgatitur.