17 ditë zie për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II

Mbreti Charles III ka shpallur një periudhë zie prej 17 ditësh për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.

Mbreti ka kërkuar që të mbahet një periudhë zie mbretërore nga e premtja deri në shtatë ditë pas funeralit të Mbretëreshës, sipas një deklarate të Pallatit Buckingham, e cila shtoi se data e funeralit do të konfirmohet “në kohën e duhur”.

Rezidencat mbretërore do të mbyllen deri pas funeralit të Mbretëreshës, sipas Pallatit.

Liderët botërorë dhe qytetarët në mbarë botën kanë nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, e cila vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare. Mijëra njerëz u mblodhën në Londër afër Pallatit Bakingam, duke vendosur kurora lulesh pranë dyerve të pallatit.

Skena të ngjashme u panë edhe pranë shtëpisë së Mbretëreshës në Kështjellën Uindsor dhe kështjellat gjetkë në Mbretërinë e Bashkuar, për të nderuar monarken që qëndroi në fron për 70 vjet. Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në mbarë botë, përfshirë në Uashington, Berlin, e Bruksel, ndërkaq në Paris Kulla Ajfel fiku drita në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.

Liderët botërorë çmuan lartë kontributin e Mbretëreshës Elizabeth, qëndrueshmërinë dhe sensin e saj të humorit. Presidenti amerikan, Joe Biden, – që për herë të parë takoi Mbretëreshën 40 vjet më parë – tha se ajo ishte “më shumë se një monarke – ajo definoi një epokë”. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “përkushtimi i saj për pajtimin gjermano-britanik pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore do të mbetet i paharruar”. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “empatia dhe aftësia e Mbretëreshës për t’u lidhur me çdo gjeneratë që kalonte, përderisa qëndronte e vendosur në traditë, ishte një shembull i udhëheqjes së vërtetë”. Mbetëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo mori fronin në vitit 1952. Trashëgimtar i fronit është djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit, i cili do të njihet me emrin Mbreti Charles III.