Qytetarët vetë i paguajnë testet për Covid, 75 mijë euro për 24 orë

Klinika dhe laboratore të caktuara private të licencuara për testimet për Kovid-19 po sigurojnë përfitime të mëdha në këtë periudhë të pandemisë.
Në mungesë të termineve apo për shkak të prolongimit të kohës për bërjen e testeve, shumë qytetarë janë të drejtuar tek laboratoret private. Në të shumtën e rasteve thuajse çdo ditë, shumica e testeve vijnë nga këto laboratore dhe ato më pas numërohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Gazetari Aleksandar Spasovski ka shkruar se dy ditë më pare janë kryer 1901 teste, prej të cilëve 1125 janë bërë nëpër laboratoret private dhe janë paguar nga xhepi i qytetarëve. Nga kjo shifër e testeve për 24 orë, qytetarët kanë paguar 75 mijë euro.
“Janë bërë 1901 teste. Nga to, shteti ka paguar për 776, ndërsa ne qytetarët vetë i kemi paguar 1125 testet e tjera nëpër laboratoret private, për shkak se nuk ka termin, test apo algoritëm në laboratoret shtetërore. Atëherë tek laboratoret private ku për vetëm 24 orë janë harxhuar 75 mijë euro nga xhepat e qytetarëve.

Nëse shkojmë me këtë tempo, atëherë ne qytetarët në javë vetëm për teste paguajmë nga 500 mijë euro. Me këtë tempo, për një muaj ne do të ndërtojmë spital”, ka shkruar Spasovski.