16 herë i dënuar – Veprat e rënda penale me të cilat ngarkohet Dibran Hoxhaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e 31 vjeçarit


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një natë më parë në Prizren, ku pas një konflikti në një lokal mbeti i vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi. R.V nga Kukësi ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ndërsa ka mbetur i plagosur një person tjetër, tashmë jashtë rrezikut për jetë.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar se i dyshuar për vrasje është Dibran Hoxhaj.

Policia dyshon se drejt tyre ka qëlluar pronari i lokalit të natës teksa ata po largoheshin me automjet në drejtim të Kukësit. Mësohet se tre të rinjtë nga Kukësi nuk kanë patur armë me vete dhe nuk ka patur përplasje me armë. Dy të rinjtë nga Kukësi akuzojnë Dibran Hoxhajn si autor të ngjarjes së rëndë.

Kush është Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”?

Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” është emër i njohur për policinë.

Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë disa nga veprat penale, për të cilat Dibran Hoxhaj apo i njohur ndryshe me pseudonimin “Kobra”, është dënuar plot 16 herë.

Ai në shtator 2022 ishte dorëzuar në polici pas tre ditësh që ishte në kërkim.

Kobra e kishte sulmuar fizikisht një person dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore.

Rasti kishte ndodhur në një klub nate. Viktima ishte i dehur dhe shkak i përleshjes ishin problemet e mëhershme mes tyre.

Aktgjykimet në fjalë janë shpallur gjatë periudhës kohore 2007 – 2021.

Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, bëjnë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.

Nga 16 aktgjykimet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, Hoxhaj është dënuar me gjobë në 12 aktgjykimet e plotfuqishme, kurse në katër aktgjykimet tjera është dënuar me dënim me kusht.

Në aktgjykimin e 26 qershorit 2009, “Kobra” ishte dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve. Për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar dy herë edhe në vitin 2012. Në aktgjykimin e 23 tetorit, ishte dënuar me 800 euro gjobë, kurse me 850 euro gjobë ishte ndëshkuar në aktgjykimin e po të njëjtës datë.

Për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, pronari i “Cobra City” është dënuar gjashtë herë.

Me aktgjykimin e marrë më 15 maj 2013, i njëjti ishte dënuar me 250 euro gjobë. Më 23 mars 2015 ishte dënuar me 3 muaj burgim me kusht. Edhe në vitin 2016, në aktgjykimin e 3 majit ishte dënuar me 1 mijë e 600 euro gjobë.

Për lëndim të lehtë trupor, ai ishte dënuar dy herë edhe në vitin 2018, më 13 gusht dënimi për të ishte 200 euro, kurse më 10 dhjetor ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë. Ndërsa, më 4 maj të vitit 2020, u dënua me 1 mijë euro gjobë për ketë vepër.

Ndërsa, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, i njëjti ishte ndëshkuar dy herë. Fillimisht, më 27 nëntor 2012 ishte dënuar vetëm me 200 euro gjobë, kurse më 2021, në aktgjykimin e plotfuqishëm të 19 shkurtit, ishte dënuar me 2 mijë e 340 euro gjobë.

Gjashtë muaj burgim me kusht ishte dënuar më 16 nëntor 2007 për pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, për “Kanosje”, “Kobra” u dënua me 140 euro gjobë, aktgjykim i cili u shpall më 13 gusht 2016.

Më 7 tetor 2014, Hoxhaj doli sërish para gjykatës për veprën penale “Dëmtimi i pasurisë së huaj të luajtshme”, ku ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.

Për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, Hoxhaj u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, në aktgjykimin e shpallur më 25 mars 2018.

Dibran Hoxhaj mori masë ndëshkimore ishte më 1 nëntor 2021, për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare”, për të cilën dënimi i tij ishte 160 euro gjobë.

Faktin se ka shumë vepra penale, “Kobra” e kishte përmendur në emisione të ndryshme televizive, duke thënë se ka 198 vepra penale, por që gjitha sipas tij kanë lindur pasi kishte hapur lokalin e tij “Cobra City”.

Betimi për Drejtësi”, ka provuar të marrë përgjigje nga i njëjti se si i komenton gjithë këto aktgjykime, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.