Bisedimet me “mësit” për Qeverinë, kush me kë po koketon?

Nga Mentor MELLOVA INA

Që nga nata e shpalljes së rezultateve të para preliminare të zgjedhjeve të 15 korrikut, kanë filluar shigjetimet dhe kalkulimet e para për formimin e koalicionit qeverisës. Nga të gjitha partitë nuk po fshehin faktin se po bisedojnë mes veti, për të arritur numrat e nevojshëm prej 61 e më tepër për formimin e koalicionit. “Po ka bisedime, por në masë të madhe po zhvillohen në nivel të mësitëve (shkuesve) të cilët po përcjellin porositë qëndrimet dhe kalkulimet e ndryshme” thotë një zyrtar i një partie e cila është kalkuluese për të bashkëqeverisur. Por zyrtarisht ende nuk ka asgjë konkrete. LSDM, e cila fitoi me një diferencë të ngushtë në këto zgjedhje theksoi se bisedimet do të fillojë javën e ardhshme pas festës së Ilindenit.

Nga kjo parti theksuan se janë në komunikim me subjektet parlamentare dhe se bazohen në thirrjen e Zaevit, që koalicionit ti bashkëngjiten të gjitha partitë dhe deputetët progresist që synojnë përparim dhe zhvillim. Nga VMRO DPMNE nga dita e parë nuk kanë fsh*ehur se po bisedojnë rreth sigurimit të shumicës për qeverisje dhe se sipas tyre, ata janë fitues në kampin politik maqedonas, pasi që kanë fituar edhe shumicën e votave. Nga BDI theksojnë se ende synojnë kryeministrin shqiptar, por zyrtarë të kësaj partie në deklarimet e fundit kanë nënvizuar prioritete tjera si janë marrëveshja e Prespës, Marrëveshja me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Ohrit. Për koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativën të gjitha opsionet janë të hapura, përveç Qeverisë ku BDI do ishte partneri i tyre i koalicionit. Në PDSH nuk kanë ndonjë qëndrim rreth koalicionimeve dhe se pritet që kreu i kësaj partie të marr ftesën nga Zaev për të mbështetur koalicionin e mundshëm qeverisës. Për formimin e Qeverisë do të duhen 61 deputetë. LSDM me fitoren e saj ka 46 deputetë, ndërsa për të formuar Qeverinë i duhen edhe 15 deputetë, aq sa ka BDI. Megjithatë nga LSDM po kalkulojnë edhe për një koalicion tjetër, duke përfshirë ASH AAA si dhe deputetë të kampit nga koalicioni i VMRO DPMNEsë.