Zhelina ankohet për orën policore! Sejdiu: 10 ditët e fundit s’kemi asnjë rast me Covid-19 (VIDEO)

Zhelina ankohet deri te Qeveria se pse në Komunën e tyre është vendosur orë policore kur atje nuk ka rritje të numrit të të infektuarve. Kryetari i kësaj komune Blerim Sejdiu thotë se ky vendim është i pa drejtë pasi që në këtë komunë nuk ka asnjë të infektuar në bazë të të dhënave zyrtare. Sejdiu thotë se ai edhe në mënyrë zyrtare i është drejtuar Qeverisë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Komuna e Zhelinës ende vlerëson se ky vendim i djeshëm i qeverisë është jo i drejtë dhe jo korrekt për komunën e Zhelinës pasi që komuna e Zhelinës 10 ditët e fundit nuk ka regjistruar asnjë rast me Covid 19 dhe ky vendim i izolimit me ndalesë për qytetarët me orë policore është jo i drejtë për arsye se ne kemi qenë të kujdesshëm bashkërisht me qytetarët, kemi apeluar dhe ata i kanë respektuar maksimalisht këta masa dhe në fund po dënohemi si komunat tjera që nuk kanë qenë të kujdesshme”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës Zhelinës.

E shumica e qytetarëve në këtë komunë nuk besojnë se ekziston virusi. Ata thonë se nuk kanë parë asnjë të infektuar.

Qytetar: “Me sa e shohë unë këtu drejtësi nuk ka aspak se tre muaj është duke zgjatur kjo korona korona a ne nuk kemi parë asnjë të sëmur apo të vdekur nga koronavirusi përveç se i manipulojnë.”

Qytetar: “E drejtë nuk është aspak këto janë të gjitha manipulime, se nuk ka as virus asgjë.”

Qytetar: “Është mirë populli nuk mbushet mend vetë e bëjmë këtë të ketë orë policore, çka të bësh këtij as maskë asgjë.”

Qytetar: “Le të vendosin çka duan le të bëjnë shihet se si është politika.”

Me vendim të Qeverisë edhe komuna e Zhelinës vendoset në orë policore bashkë me komunat tjera të Tetovës, si Bogovina, Tearca e Jegunovca.