Hazbi Lika në ASH? Partia nuk e thotë troç! (VIDEO)


Zërat se Hazbi Lika, ish zv/kryeministri dhe ish-deputeti i BDI-së bashkë me një pjesë të ish-komandatëve dhe ushtarëve të UÇK-së kanë kaluar në Aleancën për Shqiptarët, dhe publikimi i një fotografie ku shihet kushëriri i Hazbi Likës bashkë me ish-komandant Xakin, Berzah Bejtullahun, janë pjesërisht të vërteta. Televizioni 21 gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me njërin nga të revoltuarit e BDI- së por i njëjti e ka konfimuar se tashmë një vit ata nuk janë pjesë e Bashkimit Demokartik për Integrim dhe janë duke biseduar me parti të tjera politike shqiptare me qëllim realizimin e qëllimit të tyre kombëtar. Nga pjesa e pakënaqur thonë se revoltën e tyre e kanë shprehur edhe kohë më parë dhe se të gjitha partitë politike shqiptare kanë dashur takime ku me një pjesë të tyre edhe i kanë realizuar.

Nga Aleanca për Shqiptarët konfirmojnë aderime dhe bashkangjitje të reja por pa precizuar emra konkret. Të pyetur për fotografitë që qarkullojnë ku shihet kushëriri i Hazbi Likës dhe një ish-funksionar i BDI-së në tavolinë me sekretarin e ASH-së Arben Taravarin, thonë:

“Ne po lidhim aleancë me çdo shqiptar që ka synim të bëjë ndryshimin për një jetë më të mirë. Është e vërtetë se kohëve të fundit njerëz me ndikim në shoqërinë tonë që i kanë shërbyer kauzës sonë kombëtare po rreshtohen në Aleancën tonë të përbashkët, për t’i dhënë legjitimitet të plotë pë t’i përfaqësuar shqiptarët me dinjitet karshi çdo sfide politike për të ardhmen e shqiptarëve dhe të vendit”, u tha nga Aleanca për Shqiptarët.

Por nga fotografitë mund të shihet se më 5 Maj në Ditën e Dëshmorëve, Hazbi Lika bashkë me disa ish-komandantë të UÇK-së, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve bashkë me funksionarë të tanishëm të BDI-së. Nga grupi i pakënaqur thonë se ata nuk mund të ndalojnë asnjë që të bëjë homazhe tek dëshmorët, ndërsa në mesin e tyre mund të shihet edhe Valmir Aziri, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Bekim Memeti kryesues i Këshillit komunal në Tetovë, ish-kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Resi Abdyrahmani që tashmë kanë funksione shtetërore.

Më 23 shkurt në Tetovë ish-ushtarët e brigadës 112 “Mujdin Aliu” ku Hazbi Lika ka qenë edhe komandant i përgjithshëm dolën edhe publikisht duke kërkuar të drejta, trajtim adekuat për ish-luftëtarët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.

“Mendoj se më urgjente është intervenimi në familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të cilët u lanë pa asnjë përkujdesje institucionale. Është detyrë morale dhe ushtarake e jona që ne të bëjmë një zgjidhje urgjente pas 19 viteve për këta kategori tona shoqërore. Lindi nevoja e pa shmangshme që ne sot të mblidhemi dhe të marrim hapin e parë për organizimin e kësaj organizate ku synim kryesor do të jetë ngritja e dinjitetit dhe besimit”, tha Burhan Amiti – ish ushtar i UÇK-së. Edhe pse kërkesat janë pothujase të njëjta, një pjesë e këtyre ushtarëve nuk duan që të bashkangjiten në parti politke. Televizioni 21 ka kontaktuar disa nga porotagonistëtë në këtë takim, ku një pjesë e tyre thonë se ata deri më tani nuk kanë qenë pjesë e ndonjë partie politike dhe të tillë do të vazhdojnë të mbeten, ndërsa në asnjë rast nuk do të lejojnë që dikush të flasë në emer të ish-brigadës 112 të UÇK-së dhe të bëjë pazare politike.