Talebanët shpallën armëpushim treditor për shkak të Fitër Bajramit

Talebanët, përmes Tuiterit, kanë bërë ndërprerje treditore të zjarrit në Afganistan, ndërsa presidenti i atij vendi ka thënë se qeveria do të kundërpërgjigjet me masën e njëjtë. Ndërprerja e zjarrit ndodh në kohën e festës së madhe myslimane Fitër Bajrami, njofton Bi-Bi-Si.

Kjo lëvizje ka ndodhur pasi u intensifikuan luftimet mes dy palëve edhe krahas pandemisë së koronavirusit.

“Mos zbatoni kurrfarë operacione ofensive kundër armikut askund, nëse presidenti ndërmerr çfarëdo aktivitete kundër jush, mbrohuni”, ka shënuar në Tuiter zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Muxhahiq. Ai shtoi se shpallja e armëpushimit është vetëm për shkak të Bajramit, me të cilin shënohet fundi i muajit të shenjtë të Ramazanit.

Presidenti afgan, Ashraf Gani e ka përshëndetur paralajmërimin për ndërprerjen e zjarrit nga ana e talebanëve dhe e përsëriti ofertën e tij për paqe./MIA