12 gjëra që mund të mësoni nga humbja e një njeriu të dashur

Sad woman is mourning for dead person at grave in cemetery. Lonely mourner in autumn graveyard.

Nëse je një njeri që ke humbur motrën apo vëllanë, atëherë kemi diçka të përbashkët. 22 vjet më parë kam humbur tim vëlla. Edhe pse ka kaluar kaq kohë, e mbaj mend atë ditë si të ishte dje. Që nga ajo ditë dinamika e familjes sonë ndryshoi totalisht. Edhe pse prindërit e mi nuk janë ekspertë në përballimin e pikëllimit, në fund të fundit, ende vazhdojnë të përpiqen sesi të jetojnë pa një fëmijë. Por, unë jam e lumtur mjaftueshëm se i kam një guidë që më udhëheqin ditë pas dite. Vdekja e tim vëllai, që është diçka që ende ndikon tek unë ditë pas dite ishte – dhe vazhdon të jetë – një përvojë mësimi, ndaj më poshtë do të listoj 12 gjëra që kam mësuar, të cilat shpresoj se do të ndihmojnë të tjerë të ngjashëm me mua…

NUK KA NJË MËNYRË TË DUHUR PËR TË MBAJTUR ZI
A e dini se psikologët thonë se ekzistojnë pesë faza të zisë? Jo për të gjithë është e njëjta gjë, pasi për dikë janë hapa të vyer, për disa të tjerë jo. Nuk ka një manual të caktuar se si të kalosh periudhën e zisë. Secili prej nesh e përjeton këtë periudhë të zymtë ndryshëm nga tjetri, ndaj mos lejoni askënd që t’ju tregojë se si të silleni, sidomos nëse ata nuk ia kanë fare idenë se çfarë po kaloni. Për aq kohë sa nuk po lëndoni veten, atëherë vazhdoni të silleni si t’ju vijë për shtat.

ASNJËHERË NUK DUHET TË KENI TURP TË QANI
Lotët janë një nga mënyrat më të mira për të çliruar veten nga ato ndjenja që ju përfshijnë. E qara nuk është shenjë dobësie. Është një ndjenjë që po ashtu vlen si një lloj ilaçi. Unë ndihem gjithmonë më mirë pasi nxjerr çdo gjë nga vetja dhe qaj pa u ndjerë e turpëruar. Pastaj, nuk është asnjëherë mirë që t’i mbani përbrenda ndjenjat tuaja, pasi kjo gjë gjeneron stres, trishtim, ankth.

NUK KA ASGJË TË KEQE QË TË INATOSENI
Ende ndihem e inatosur për ikjen e tim vëllai. Inati është një tjetër pjesë normale e zisë që do të ndjeni. Do të vijë e do të ikë, por asnjëherë mos u ndjeni në turp pse jeni të inatosur. Mos lejoni askënd t’ju thotë të kundërtën.

DO TË DËGJONI PLOTË BUDALLALLËQE
Do të dëgjoni shumë pyetje nga njerëzit, të tipit: “Si je?”, “Ai tani është në një vend më të mirë”, “Zoti e deshi pranë vetes” dhe “Të kuptoj”. Po, këto pyetje dhe biseda janë paksa idiote, por shumicën e kohës ata që ju qëndrojnë pranë mundohen që të tregojnë mirëkuptim, janë të trishtuar pranë jush dhe nuk ia kanë fare idenë se çfarë t’ju thonë. Për aq irrituese sa mund të jetë, duhet të shtrëngoni dhëmbët dhe të shkoni përtej bashkëbisedimit. Nga ana tjetër, mund edhe të shpërtheni, sepse nuk mundeni më, kjo gjë është normale. Përpiquni t’u shpjegoni njerëzve përse jeni të mërzitur, dhe ndoshta ata do të mësojnë se si të trajtojnë dikë që është i pikëlluar.

EGOIZMI ËSHTË I NEVOJSHËM
Edhe pse mund të dëshironi që të jeni aty për njerëzit e tjerë të familjes dhe të jeni një njeri i dashur për ta, ju nuk duhet të harroni asnjëherë për veten dhe nevojat që keni. Është OK të jeni egoistë. Duhet të siguroheni se po bëni veten tuaj të lumtur dhe se duhet të jeni të shëndetshëm, në të kundërt nuk do të jeni në gjendje që të bëni jetën dhe jetesën tuaj të funksionojë siç duhet.

NDONJËHERË DO T’JU HARROJNË
Më pëlqen t’i quaj vëllezërit ose motrat që janë të pikëlluar nga vdekja e të afërmit të tyre “të harruarit”. Nuk po them se të gjithë na harrojnë, na injorojnë, nuk u shkon në mendje se kemi humbur një pjesë të shpirtit, por ndonjëherë, prindërit marrin më shumë vëmendjen e të tjerëve, pasi kanë humbur fëmijën. Ndonjëherë, as na vënë re, dhe njerëzit harrojnë se dhe ne po përballemi me humbjen dhe pikëllimin, ndaj flisni, sepse mund të jeni të aftë të hapni sytë e dikujt tjetër për dhimbjen tuaj.

FAMILJARËT E LARGËT MUND T’JU BEZDISIN
Kjo gjë mund të habisë disa, por shumë shpesh, familja e madhe nuk është se vuan edhe aq shumë për një humbje të madhe. Disa janë të frikësuar se mund t’u ndodhë e njëjta gjë, ndërsa të tjerë as nuk e kuptojnë se përse tani je shndërruar në një njeri tjetër. Vdekja ndryshon shumë, dhe fatkeqësisht, kjo mund të jetë një e vërtetë e hidhur.

NJERËZ QË NUK E PRISNIT DO T’JU ZGJASIN DORËN
Në përvojën time, njerëzit që as nuk ma ka prerë mendja dhe ata të largëtit kanë qenë aty për mua. Është një surprizë e këndshme të kuptosh se edhe pse disa nga familjarët as që e kanë mendjen tek ti, të tjerë do të duan të përpiqen t’ju kuptojnë, t’ju shtrijnë një dorë dhe t’ju ofrojnë një shpatull ku të qani.

NUK DO TË JENI ASNJËHERË I NJËJTI NJERI
Që nga koha e humbjes së tim vëllai, nuk jam më e njëjta. Vdekja ju ndryshon dhe s’ka asgjë të keqe. Do të rriteni, do të mësoni, dhe do të përshtateni me kalimin e viteve. Asnjëherë mos mendoni se keni nevojë të jeni i njëjti njeri me atë që ishit përpara ikjes së vëllait apo motrës, sepse kjo gjë nuk është e shëndetshme, logjike dhe aspak realiste.

NUK DUHET TË NDIHENI NË FAJ KUR JENI TË LUMTUR
S’ka asgjë të keqe të qeshësh, buzëqeshësh dhe të ndiheni të lumtur. Vetëm sepse nuk po qani apo nuk ndiheni të trishtuar çdo ditë, nuk do të thotë se e keni harruar njeriun e dashur. Kjo gjë do të thotë se po përshtateni dhe bashkëjetoni me dhimbjen tuaj. Më besoni, vëllai apo motra do të jenë gjithmonë aty, në mendjen tuaj.

GJËRAT NUK DO TË JENË ASNJËHERË TË LEHTA – DO TË JENË TË NDRYSHME
A do të lehtësohet gjendja? Jo, por do të jetë e ndryshme. Do të keni ditët tuaja të zymta, sepse dhimbja që vjen me vdekjen asnjëherë nuk largohet. Është e vështirë për t’u shpjeguar, nëse nuk e keni provuar një dhimbje të tillë, por fjala “e ndryshme” është mënyra më e mirë për ta përshkuar gjendjen tuaj.

JETONI JETËN TUAJ
Në fillim, të duket sikur jeta ka ndaluar, sikur ju keni ndaluar dhe mund të ndiheni sikur nuk do të jeni në gjendje të bëni më asgjë. Gjithsesi, kur koha kalon, do të ktheheni në vorbullën e gjërave. Ende keni nevojë të jetoni jetën, të bëni gjërat që ju bëjnë të lumtur dhe të ndiqni ëndrrat. Vetëm sepse po mendoni për veten, nuk do të thotë se keni harruar vëllain apo motrën.