11-vjeçarja është dhunuar për më shumë se një vit

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se informacionet e para tregojnë që 11-vjeçarja është dhunuar për më shumë se një vit.

Sveçla ka thënë në konferencën e mbajtur të hënën se ka kërkuar nga kryeshefi i Inspektorati Policor i Kosovës që të gjithë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast, të thirren në cilësinë e dëshmitarit për të kuptuar mbi atë se çfarë ka ndodhur.

Ai ka thënë se institucionet përgjegjëse kanë dështuar për të mbrojtur viktimën, ndërsa është shprehur i bindur se të gjitha dështimet do të identifikohen dhe përgjegjësit do të penalizohen.

“Indikacionet e para apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës i kam bërë drejtpërdrejt në mënyrë që të gjithë të përfshirit në këtë rast të thirren në cilësinë e dëshmitarit në mënyrë që institucionet e Kosovës dhe publiku të informohen drejtë mbi atë se çfarë ka ndodh, se çfarë institucionet kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin dhe po ashtu sa më shpejt të jetë e mundur të dalin me të gjeturat e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë”, tha Sveçla.

“Në këtë rast janë përfshirë qoftë Prokuroria, qoftë qendrat për punë sociale, qoftë Policia, por edhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur e më pas për të identifikuar atë se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikimin e dhunuesve që fatkeqësisht nuk janë arrestuar të gjithë”, ka thënë ai.