MPB njofton se nën udhëheqjen e Prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike, në bashkëpunim me Sektorët për Punë të Brendshme Tetovë dhe Shkup, ka arrestuar dhjetë persona nga Tetova dhe Gostivari, ndërsa një tjetër është në kërkim, për veprën penale “Tregti me fëmijë”.
MPB njofton se kundër të 11 personave ka dorëzuar kallëzim penal për kryerjen e veprës së njëjtë penale, në pajtim me Kodin Penal të RMV-së.
“Në periudhën kohore nga viti 2020 deri në shtator 2021, G.Sh., duke përfituar nga gjendja e pafuqisë dhe vulnerabilitetit të fëmijës, në një marrëveshje të mëparshme me S.S., A.P. dhe K.H., e kanë kryer krimin duke joshur fëmijën për të kryer akte seksuale nëpërmjet shfrytëzimit seksual dhe duke e përdorur atë në aktivitete seksuale ose forma të tjera të shfrytëzimit seksual me të kallëzuarit R.A, I.Z., I. E., A.M., K.K., F.A. dhe A. Sh., për dëmshpërblim monetar nga 50 deri në 200 euro, me qëllim përfitimin pasuror të kundërligjshëm”.
“Në bazë të urdhrave të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup, në rajonin e Tetovës në dy lokacione janë kryer bastisje në shtëpi dhe objekte tjera dhe tetë persona janë privuar nga liria, ndërsa në në zonën e Gostivarit dy persona janë privuar nga liria, ndërsa një person ndodhet jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
“Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar ka dorëzuar kallëzim penal kundër 11 personave në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nga të cilët G.SH. (51) nga Tetova për veprën penale “Trafikim me fëmijë”, S.S. (59) nga Tetova për “trafikim me fëmijë”, A.P. (67) nga Tetova dhe K.H. (50) nga Gostivari për “trafikim me fëmijë” dhe R.A. (69), I.Z. (55), I.E. (67), A.M. (50), Q.Q. (53) dhe F.A. (63), të gjithë nga Tetova dhe A.Sh. (51) nga Gostivari për “trafikim me fëmijë””, thuhet në njoftimin e MPB.