10 persona në vend janë konfirmuar se janë të infektuar me variantin indian Delta të koronavirusit. Vetëm dje janë regjistruar katër. Njëri pacient është në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërkaq të tjerët janë në gjendje stabile, informoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Asnjëri prej pacientëve të infektuar me këtë virus nuk është i vaksinuar.
“Kjo situatë na tregon se sa është i rëndësishëm vaksinimi i qytetarëve. Pasi që vaksina mbron nga infektime të rënda dhe nga vdekja, do të thotë cilado vaksinë që e kemi në dispozicion. E shohim se çfarë po ndodh në Britani, ku edhe pse ka një valë të re me variantin Delta, ka lehtësime të masave, kjo pasi që nuk e dimë në të ardhmen se sa e sa lloje të varianteve të virusit do të kemi”, deklaroi Filipçe.
Nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në laboratorin e së cilës janë duke u testuar rastet me variantin Delta, thonë se një analizë për këtë variant merr nga 24 deri në 48 orë.
“Rastet e reja dhe anketa epidemologjike ka treguar se rastet me variantin Delta vinë nga vende të cilët janë më të rrezikuara. Sipas analizave që i kemi, situata do të përmirësohet, por pandemia nuk ka përfunduar. Për këtë gjë duhet të jemi të kujdesshëm, veçanërisht ato të cilët janë në rrezik”, tha Aleksandër Dimovski – drejtor i laboratorit të AShAM-it.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka hedhur poshtë mundësinë e mbylljes së shtetit për shkak të paraqitjes së rasteve me variantin Delta apo të ashtuquajturin variantin indian të koronavirusit. Deri në fund të javës, në Komisionin për sëmundje infektive do të shqyrtohet se a do të ketë masa të reja, gjegjësisht se a do të vendoset hyrja me test negativ në vend nga vendet e rrezikuara.