10 mijë euro për vizë pune në Belgjikë, Fisnik Syla merr paratë dhe zhduket

E gjithë historia nisi me një postim 24 orësh që Fisnik Syla vendosi në Instagram, ku kërkonte rreth 30 punëtorë të gastronomisë për lokalet e tij në Bruksel.

Këtë shpallje e pa edhe i riu Reidis Shkreta, nga Durrësi i Shqipërisë. I lumtur se mund të gjente një vend pune jashtë Shqipërisë, i shkroi Fisnikut dhe pasi mori vesh koston e letrave, Reidisi, i bindur se po fliste me një sipërmarrës, i thotë: “Ke për të ngelë i kënaqur si nga unë e edhe nga puna që do të më caktohet”.

Fisnik Syla ia bën me dije se kostoja për dokumentacionin dhe udhëtimi për në Belgjikë do të paguhet nga Shkreta, madje i jep numrin e telefonit, që është numri i njëjtë me të cilin ka kontaktuar edhe KIKS-i, me pretekstin se Instagrami i tij po përgjohet nga portalet.
Pas kësaj, nis komunikimi në WhatsApp, i cili është komunikimi për procedurën e pagesës së parave dhe rregullimit të dokumentacioneve.

Mbi 10 mijë euro ia dërgoi Fisnikut familja Shkreta, disa para u dërguan përmes postave për dërgim të shpejtë të parave si Ria e Money Gram, ato u dorëzuan në emër të Fisnik Sylës dhe të një personi tjetër, emri i të cilit është Fatos Syla.

Sipas komunikimit, data kur Reidisi do të fillonte punën ishte 29 tetori i vitit 2021 e në të njëjtin komunikim Fisnik Syla theksonte se është duke i rregulluar dokumentet për 30 punëtorë, pasi kishte nevojë për shumë sosh.

Më vonë Syla i kërkonte edhe 2 mijë euro dhe zotohej se Reidisi do të paguhej 1700 euro dhe se letrat belge do t’i kishte në xhep.

Por kur gjërat filluan të dukeshin të dyshimta, pasi Syla kërkonte para të tjera, Reidisi do ta pyeste se a kishte të drejtë se shqetësohej për sigurinë e fillimit të punës?
Por Fisnik Syla do ta garantonte që jo, madje i thoshte se atë e njeh e gjithë Shqipëria si një biznesmen i njohur, duke ia bashkëngjitur komunikimit edhe një lajm mbi veprimtarinë e tij.

Dhe muhabet mbas muhabeti, më 18 dhjetor, një mesazh do ta gëzonte shumë Reidisin. Ai do të njoftohej nga Fisnik Syla se dokumentet ishin gati, por se duhej të paguante edhe 1880 euro për sigurimet e punës.

I lumtur, Reidisi e falënderon dhe kërkon ftesën për të nxjerrë biletën dhe këtu serish i kërkon para Syla, me pretendimin se do t’i nxjerrë ai biletën për në Belgjikë, duke theksuar se me 2300 euro do t’ia nxirrte edhe biletat edhe do të paguante sigurimin në punë.

Dhe si përfundim biletat nuk erdhën, familja Shkreta pretendon se ato ishin të falsifikuara dhe Reidisi i bleu ato dhe ateroi për në Belgjikë, më 21 tetor, por atje nuk e priti Fisnik Syla. Në komunikim shihet se ai befasohet se si kishte arritur në Belgjikë.
Madje edhe hoteli, në të cilin kishte thënë se do të punësohej, tash Fisniku i thoshte se nuk është i tij, derisa i ishte arsyetuar se nuk mund ta takonte, pasi ishte me COVID.

Dhe pas 3 ditësh qëndrimi, Reidisi u kthye duke kërkuar që t’i ktheheshin paratë mbrapa. Por ato nuk iu kthyen kurrë.