10-20 mijë punëtorë nga Bangladeshi, Nepali, Pakistani do të vijnë në Maqedoni!

Së paku 3 agjenci maqedonase janë në negociata për import të fuqisë punëtore nga jashtë. Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, në një intervistë thotë se kjo tashmë është praktikë e vendosur në Kroaci dhe Bullgari, ku kompanitë ndërtojnë edhe konvikte për punëtorët e ardhshëm, të cilët kryesisht vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Largët.

-Ka vende me pagë minimale 114-115 euro dhe rroga jonë është tre herë më e lartë. Ata kanë edhe kushte shumë më të këqija për jetë dhe punë – tha Angel Dimitrov, Organizata e Punëdhënësve.

Në veçanti, Dimitrov ka marrë një ofertë për punëtorë nga Nepali, por negociatat janë duke u zhvilluar edhe me Bangladeshin, Pakistanin dhe Indonezinë.

– Nëse nuk e bëjmë këtë, me largimin e të rinjve, do të mbetemi pa punëtorë, ekonomia dalëngadalë do të shembet dhe buxheti do të mbetet pa para. Pra, shteti duhet të përgatitet edhe tani, nëse nuk bëhet kjo, do të ulet numri i deputetëve në parlament dhe numri i ministrave në qeveri dhe numri i të punësuarve në administratën publike, sepse nuk do të ketë para për të gjithë. – shtoi Dimitrov.

Dimitrov konsideron se nevojitet liberalizimi i tregut të punës dhe se të drejtat nga Ligji për marrëdhënie pune vlejnë njësoj për punëtorët vendas dhe të huaj.

“Mendoj se Maqedonia nuk është shtet si disa vende arabe, ku të huajt do të punojnë 20 orë, nuk do të kenë asnjë të drejtë dhe do të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë”, tha Dimitrov.

Për të ndalur emigracionin, duhet të reformohet struktura e arsimit dhe ekonomia, shoqëria të depolitizohet dhe ligjet të mos zbatohen në mënyrë selektive. /MIA/