​Xhaferi: “Ballkani i Hapur i paplotë, shpresë për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë”

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi thotë se nisma rajonale e quajtur “Open Ballkan” nuk do të jetë e plotë nëse në të nuk janë të kyçura të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për KosovaPress, Xhaferi flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi që mendon se duhet të përfundojë me njohje reciproke. Gjithashtu, ai shpreson që shumë shpejtë të gjendet zgjidhja e ngërçit me Bullgarinë dhe të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kryekuvendari Xhaferi, duke folur për nismën në të cilën bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia e që është ajo e Ballkanit të Hapur, thotë se nisma është në rregull në kontekstin ekonomik dhe social, porse pjesa politike është ajo që e definon statusin përfundimtar të çdo nisme.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina janë të tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që refuzojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme.

“Nismat rajonale gjithsesi janë nisma fillestare të cilat duhet t’i hapin rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë, por ai bashkëpunim duhet të jetë i plotë dhe supozoj e keni idenë rreth Ballkanit të Hapur si nismë nëse është pjesë e Procesit të Berlinit, për faktin se nga Procesi i Berlinit ka dalë ideja që në mikro-regjion të bëhet një bashkëpunim i propaguar, siç e propagojnë udhëheqësit e tre vendeve që aktualisht janë pjesë e asaj nisme, dhe ajo nuk do të jetë e plotë nëse nuk janë të gjithë të kyçur në atë nismë. Por, përsëri të ngarkuar nga raportet politike që i kanë vendet e caktuara po bëhet edhe përkufizimi i pajtueshmërisë apo mospajtueshmërisë për një nismë të tillë. Kështu që në kontekst ekonomik, kontekst social, gjithçka është në rregull por kontesti politik është ajo që e definon mandej edhe statusin përfundimtar të çdo nisme, qoftë kjo e fondit në mikro-rajon, qofshin nisma të tjera në të cilat ne bashkërisht marrim pjesë si gjashtë vende të rajonit”, thotë Xhaferi.

Ndërsa lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Xhaferi thotë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Nuk do mend që unë jam i bindur se ai proces kurdo qoftë të jetë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë në mes të dy shteteve tanimë, Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe gjithsesi që zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për qytetarët, për faktin që interesi parësor është i qytetarëve, pastaj i institucioneve dhe shtetit si subjekt ndërkombëtar. Për ne është i pranueshëm çdo qëndrim dhe çdo vendim i cili është i pranueshëm ndërmjet dy vendeve diskutuese mes vete dhe dy popujve që e bëjnë përbërjen e dy shteteve, nuk kemi dilema për atë punë se të jetë favorizim kjo apo ajo çështje”, thotë ai.

Veto bullgare vazhdon të mbajë peng procesin e integrimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat janë në një pako.
Pavarësisht vlerësimeve nga raporti i Komisionit Evropian se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar parakushtet për hapje të negociatave, vendi e përmbylli vitin pa mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila do të shënonte edhe fillimin e negociatave.

“Shpresa gjithnjë nuk guxon të humbet dhe sinjalet që ka shpresë, Bullgaria gati një vit ka qenë pa qeveri politike, brenda një viti atje janë përsëritur zgjedhjet parlamentare, tanimë ka qeveri politike e cila nuk ka disa ditë që është në funksion dhe besoj që në komunikim të pandërprerë që bëhet shpresojmë që të gjendet zgjidhje e pajtueshme për të dy palët që të mundet të lejohet definitivisht mbajtja e konferencës ndërqeveritare për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për Republikën e Shqipërisë për faktin që janë në pako në rrugëtimin për fillimin e negociatave me Unionin Evropian”, thotë Xhaferi.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut thotë se institucioni që ai drejton ka arritur që t’i miratojë mbi 70% të projektligjeve që kanë shkuar në Kuvend. Gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut ka kaluar në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe mbajti zgjedhjet lokale, çka sipas Xhaferit, ka ndikuar edhe në efikasitetin e punës së Kuvendit.
Në fund të vitit të kaluar, në Kuvend kishte edhe përpjekje të opozitës për rrëzim të qeverisë me mocion mosbesimi, përpjekje kjo që dështoi.