​Nasim Haradinaj, sot para Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj krerëve të OVL-së të UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Me të konfirmuar aktakuzën, Nasim Haradinaj do të paraqitet para Speciales sot, në orën 15:00.
“Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.
Më 25 shtator, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan nga EULEX-i me urdhër të Gjykatës Speciale.