​Mjeku kinez: Zbulova se në Wuhan po fshihnin diçka

Këshilltari shëndetësor i qeverisë kineze, Zong Nanshan tha për CNN se rreziku i valës së dytë të infeksionit të virusit korona është ende i madh.

“Shumica e kinezëve në këtë kohë janë akoma të ndjeshëm ndaj infeksionit të mundshëm me Covid-19 për shkak të mungesës së imunitetit. Ne po përballemi me një sfidë të madhe, unë mendoj se për momentin situata nuk është më e mirë sesa në vendet e huaja”, paralajmëroi Zong.

Ai gjithashtu tha se autoritetet lokale në Wuhan, qyteti nga i cili filloi pandemia, fshehën detajet kryesore për shtrirjen e infeksionit fillestar.

Ai tha se ka vizituar Wuhan më 18 janar dhe se mjekët dhe ish-studentët i thanë në atë kohë që situata ishte më e keqe sesa thuhej zyrtarisht, transmeton KosovaPress.

Zong dyshon se autoritetet në Wuhan nuk po i thoshin të vërtetën pasi numri zyrtar i pacientëve të rinj në qytet ishte 41 për dhjetë ditë me radhë.

“Unë nuk besoja në ata numra dhe u kërkova që të më jepnin numra të vërtetë,” tha ai.

Megjithëse pranon se Wuhan fillimisht fsheh numrat e vërtetë, Zong kundërshton që fshehja vazhdoi edhe pasi autoritetet qendrore kineze i morën gjërat në duart e tyre.

“Që nga 23 janari, të gjitha të dhënat kanë qenë të besueshme,” tha ai.

Zong gjithashtu iu referua pretendimeve se virusi është krijuar në laborator.

Ai tha se ka pyetur Shi Zengli, një virologe kryesore nga Instituti i Virologjisë në Wuhan dhe se ajo i kishte thënë se me ‘pajisjet dhe ekspertët që kanë aktualisht në dispozicion, ata nuk mund të krijojnë virusin’.

Ndryshe, Kina ka regjistruar pesë raste të reja të koronavirusit, dy prej të cilave janë të ashtuquajturat infeksione të importuara, ndërsa tre raste kanë të bëjnë me transmetimin lokal në qytetin verilindor kinez të Jilin.

Numri i rasteve të konfirmuara të infeksionit në territorin e Kinës tani është 82.947, ndërsa 4.634 njerëz kanë vdekur.<iframe width=”697″ height=”392″ src=”https://www.youtube.com/embed/87-QdgjxwiY” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture” allowfullscreen></iframe>