​LVV: Ka dyshime për një lidhje korruptive të Shpend Ahmetit në Albi Comerc

Lëvizja Vetëvendosje thotë se Shpend Ahmeti po qeverisë me Prishtinën siç të tjerët kanë bërë dikur, dhe në këtë formë po e degradon kryeqytetin. Ata thonë se Ahmeti nuk po i pengon më ndërtimet pa leje, meqë ai vet mund jetë i përfshirë në lidhje korruptive me raste të tilla.

Në Lëvizjen Vetëvendosje po thonë se është kthyer fenomeni i ndërtimeve pa leje në komunën e Prishtinës.

Në një konferencë me gazetarë, Arbër Vokrri përmendi ndërtesën e investitorëve të Albi Comerc (Albi Mall) në Veternik, ku tha se në pjesën më të rëndësishme të punimeve aty mungon leja e komunës.

Duke përmendur një shkrim të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti të publikuar në llogarinë e tij Tëitter, ku shprehet i lumtur për arritjen e disa brendeve botërore në Albi Mall, Vokrri ngrit dyshimet se Ahmeti mund të jetë aksionar në atë biznes apo të jetë i ngarkuar me marketingun aty.

Ndërsa Librun Aliu përmendi dy objekte në qytetin e Prishtinës, njëra në rrugën “Agim Ramadani” dhe tjetra në “UÇK”, për të cilat kujtoi se ishin pika kryesore e fushatës së LVV kur po kandidonte Ahmetin për kryetar të kryeqytetit. Sipas tij, sot punimet në ato dy ndërtime pa leje po zhvillohen dhe janë në finalizim.

Kjo sipas Aliut ka një prapavijë që siç tha ai shumë shpejte do të shpërthejë diçka e madhe lidhur me dy ndërtimet në fjalë.

Kujtojmë se disa ditë më parë në gjigandi i modës Inditex Group – Zara ka hap shtatë dyqane në Kosovë, përkatësisht në ndërtesën Albi Mall në Veternik të Prishtinës.