Që nga kthimi nga Zvicra në Kosovë, nëna e dy vajzave u keqtrajtua nga ish-bashkëshorti i saj. Martesa e Luljeta Aliut zgjati 16 vjet, ndërkaq në gjashtë vitet e fundit përjetoi edhe dhunë fizike. Ajo publikisht, si rrallëkush, ka rrëfyer dhe denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë fizike, ekonomike dhe psikologjike të ushtruar ndaj saj.
Tash e pesë vite ajo po përballet me proces të vështirë gjyqësor. Luljeta Aliu nga Prishtina, në vitin 2017 ka nisur procedurat për divorc dhe ndarje të pasurisë në formë të barabartë.
“Në rastin tim përveç dhunës fizike, ka pasur edhe dhunë psikike dhe ekonomike. Mashtrim për pasuri, me pronë, tjetërsim të pronës, ndryshim të pagës gjatë procedurave të divorcit. E të gjitha këto që ju ndodhin edhe shumicës së grave të Kosovës, të gjitha i përjetojnë pothuajse njëjtë. Ka raste të rralla të burrave që e kuptojnë drejtë dhe janë të drejtë në raport me gratë. Problem tjetër është edhe stigmatizimi shoqëror, kur flet për dhunën në familje publikisht. Unë e kam marrë përsipër edhe këtë për të thyer heshtjen”, tregon ajo.
Për të gjitha këto vështirësi në të cilat ajo po kalon, Aliu fajtor konsideron edhe vet institucionet.
“Unë për momentin i kam 15 procedura të ndryshme në gjykata e prokurori. Në polici i kam disa të tjera, disa raste. Janë 15 procedura të ndryshme për të cilat gjatë pesë viteve është dashur të ndërmarrë mbi 100 veprime juridike, shkresa, e mos të flas për seancat dhe takimet për shkurorëzim. Në vitin 2017 e kam kërkuar ndarjen e pasurisë edhe është vendosur masa e sigurisë për pronat e vetme që i ka lënë në emër të tij. Prej vitit 2017 deri më tani nuk ka asnjë seancë për ndarje të pasurisë, nuk është zhvilluar asnjë seancë. Për shkak se gjykatat përkundër që e ka lëshuar vendimin për masën e sigurisë për pronat, në vitin 2020 më kanë ftuar të flas prapë për masën e sigurisë. Në të cilën është përfshirë për mashtrim edhe vet Agjencia Kadastrale e Kosovës”, rrëfen Aliu.
Ani pse pasurinë që i takon ende nuk e gëzon, ajo ka vijuar me angazhimin për ndryshimin e Ligjit për familjen, ku ka arritur të bëjë ndryshime të disa neneve ku diskriminoheshin gratë ligjërisht në Kosovë.
Pas realizimit të këtij ndryshimi ligjor në vitin 2018, ajo ka themeluar edhe organizatën Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi – Inject.
Institucioni i Avokatit të Popullit pranon gjatë vitit shumë ankesa nga gratë që ballafaqohen me padrejtësi në arritjen e të drejtave të tyre.
Titulalri i këtij institucioni, Naim Çelaj thekson se ajo çfarë është e përcaktuar me ligj edhe të drejtat e garantuara nga të dy palët, jo çdo herë janë lehtë për t’u realizuar.
“Rastet më të komplikuara janë ato kur pasuria është e regjistruar në emër të personave të tretë, që në këtë rast e vështirëson skajshëm procedurën dhe mundësinë që bashkëshorti/bashkëshortja të realizojë mundësinë e saj që e ka sipas ligjit. Çështja e informalitetit është problem në Kosovë, duke e ditur faktin që numër i madh i familjeve me vite të tëra kanë vazhduar mos të përfundojnë procedurat e trashëgimisë dhe bartjen e pronave në emër të personave që u takojnë, në këtë rast në emër të titullarit juridik që gëzon atë të drejtë të pronës. Zakonisht familjet e mëdha, pronat janë regjistruar në emër të një personi, pastaj janë bërë ndarjet familjare dhe pronat janë ndarë por në regjistrat kadastralë ka mbetur e regjistruar sërish në emër të personit që ka qenë regjistruar”, shprehet ai.
Në këto procedura të stërzgjatura, Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se gratë dëmtohen më së shumti.
“Është një procedurë që zgjat goxha shumë dhe në momentin kur ka edhe presion psikik nga ish-bashkëshorti, ka raste edhe kur heqin dorë. Mirëpo, ka raste që heqin dorë sepse zgjat me vite të tëra. Është një lodhje e dërrmuese që pastaj e pasojnë gratë. Dhe rëndësia që të fitojnë një pjesë të pasurisë është shumë e madhe, për shkak se shpesh ato hezitojnë që nuk kanë një vend ku të jetojnë dhe të marrin kujdestarinë e fëmijëve. Kjo i shtyn ato që të mos ndahen nëse kanë probleme”, tha ajo.
Ligji obligon që grave t’iu njihet kontributi, pavarësisht të hyrave që ka sjellë në shtëpi. Por, një gjë e tillë nuk ndodhë pothuajse kurrë.
“Nuk është me rëndësi se kush ka sjellë më shumë të hyra ose më pak, e rëndësishme është që kanë punuar të dytë. Ka ekzistuar një rregull ku gjykatat kanë vendosur mbi bazën e vlerësimit të ekspertëve, të cilët pastaj në mendimet e tyre kanë konstatuar duke u bazuar në të hyrat dhe të ardhurat që ka pasur çdo bashkëshort dhe punën që ka kryer, ka përcaktuar edhe vlerën e kontributit. Këto raste kanë cenuar edhe dinjitetin e gruas. Unë di rast konkret ku mbi 42 vjet martesë, eksperti ka vlerësuar me pesë mijë euro”, tregon ai.
Megjithatë, Avokati i Popullit pret që me ndryshimet e Kodit Penal, gruas mos t’i cenohet dinjiteti kur bëhet ndarja e pasurisë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi monitoron procedurat gjyqësore, në parim ato të rasteve familjare, por që rrallë janë të hapura. Hulumtuesja Arrita Rezniqi thekson se këto raste hasin në zvarritje dhe gratë detyrohen ta lëshojnë shtëpinë, pavarësisht kontributit që kanë dhënë.
“Brenda vitit trajtojmë dhjetëra raste të natyrës së tillë. Realisht ne mundohemi në mënyrë të vazhdueshme që përmes promove të shkurtra, përmes thirrjeve të ndryshme që publikojmë, të bëjmë thirrje dhe t’i njoftojmë gjithë ata persona që mund të kenë nevojë për përfitim nga ndihma juridike falas, që të paraqiten tek ne. Faktikisht konsiderojmë që ka nevojë të punohet për vetëdijesimin e të gjithë këtyre personave, veçanërisht në këtë rast grave për mënyrat e përfitimit të ndihmës juridike falas”, shton ajo.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë informuar se deri në fund të vitit 2019 kanë mbetur të pazgjidhura 345 raste të shkurorëzimit. Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni për vitin 2021, thuhet se për shkak të ndërprerjes së përpunimit manual të të dhënave statistikore nuk mund të ofrojnë të dhëna.
Udhëheqësi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala shprehet se te disa gra është ende një qasje tradicionale, të cilat nuk duan të marrin pasurinë as të familja, por as edhe te burri.
“Gruaja duhet të insistojë të realizojë këtë të drejtë. Tash pse ka pengesa, nuk ka pengesa pse dikush nuk dëshiron të zbatojë ligjin, por procedurat janë të stërzgjatura dhe ka mundësi sidomos në konteste civile që këto procese të zgjaten një kohë të gjatë. Dhe kjo ajo pamundësia kur gruaja lodhet për shkak se i refuzohet një proces gjyqësor dhe heq dorë. Përndryshe sa i përket infrastrukturës ligjore kjo është shumë e qartë dhe nuk ka asnjë dilemë që të drejtat e grave dhe burrave për ndarjen e pasurisë ndahen 50 me 50”, shprehet ai.
Në Kosovë ka shumë raste kur nuk mund të ndahet pasuria. Në të gjitha këto raste, ligji mundëson që të bëhet kompensimi në të holla bazuar në vlerësimin e ekspertit. Edhe këtu paraqiten barriera, meqë kur prona është e regjistruar ne emër të një personi të tretë, realizimi i qëllimit është i vështirë.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar që institucionet të eliminojnë informalitetin në regjistrimin e pronave.