Para 31 viteve minatorët e “Trepçës” kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.
Ishin rreth 1300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë, për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.
Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.
Në galerinë e Horizontit 10-të të minierës ishin ngujuar 1.300 minatorë në grevë urie, të gatshëm për ta flijuar edhe jetën për interesat tona kombëtare, për dinjitet të popullit shqiptar të shtypur nën egërsinë e regjimit të ish-Jugosllavisë.
Mbi 1.200 mibnatorë u dënuan me nga 30 e nga 60 ditë heqje lire, ndërsa ndaj organizatorëve dhe udhëheqësve të kombinatit u zhvilluan procese monstruoze politike.
Me gjithë dhunën serbe forcohej rezistenca e popullit shqiptar dhe vendosmëria për realizimin e aspiratës shekullore, që kulmoi në luftën e armatosur të UÇK-së dhe me përkrahjen e NATO-s, sollën çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999.